Politika fiskale dhe buxheti të qëndrueshëm apo diskutabil!?
Buxheti i Republikës së Kosovës i planifikuar për vitin 2012 rreth 1,500,000,000 €uro përsëri po mbushet me një pjesëmarrje mjaft të madhe nga Doganat si burim, dhe kjo bazë e të hyrave Shtetërore është e paqëndrueshme si në zhvillmi ekonomik të vendit ashtu edhe në funksionimin e një tregu të lirë dhe të qëndrueshëm. Andaj fokusi kryesor duhet të jetë zhvillimi i një politike të qëndrueshme për taksat, përkatësisht politikën fiskale në përgjithësi që ndikon direkt në mbushjen e buxhetit të Republikës së Kosovës.
Kosova duhet të orientohet për ndërtimin e sistemit të ekonomisë sipas kërkesave të një ekonomie të hapur ndaj tregut Evropian dhe Botëror, politikë të matur ligjore dhe liberalizim ekonomik në një të ardhme të afërt. Ky duhet të jetë sistem ekonomik që krijon një ambient të përshtatshëm për integrimin e ekonomisë së Kosovës përkatësisht stimulimin e produkteve vendore në rajon e më gjerë.
Importi i mallrave që aktualisht është rreth 90 % në vendin tonë po ndikon në mos zhvillimin ekonomik të vendit, rritjes ekonomike në përgjithësi dhe qarkullimi i parasë vendore po eksportohet në vendet e rajonit dhe po i stimulon prodhimet e rajonit që indirekt po ndikon në dëmtimin e buxhetit të Republikës së Kosovës.
Për krijimin e ri të burimeve fiskale duhet të stimulohet prodhimi me politika të favorshme fiskale përkatësisht në importimin e teknologjisë sidomos të prodhimit nga shtetet e tjera d.m.th., të hiqet TVSH-ja prej16 % dhe të hiqen të gjitha taksat Doganore. Gjithashtu këto masa për produktet e domosdoshme ta kenë TVSH-në shumë simbolike 1% apo 2%, ndërsa për produktet e luksit TVSH-ja të ngrihet 24% deri 30%, ashtu si në vendet e zhvilluara, konkretisht në vendet Europiane.
Aplikimi i këtyre masave do t’i zhvendos të hyrat buxhetore nga lokale në qendrore do të krijoj klimë dhe stimulim të bizneseve vendore, zbutjen e papunësisë, burime të reja fiskale dhe qëndrueshmëri në të hyrat e buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në dëmtimin e Buxhetit po ndikon edhe evazioni fiskal që është bërë dukuri që po zë vend në shtetin tonë të varfër, e që po i shkakton humbje miliona euro buxhetit të Republikës së Kosovës. Prandaj duhet të bëhen politika të veçanta fiskale të bëhet eliminimi i ekonomisë joformale dhe kjo dukuri të kontrollohet në bazë të ligjit mbi tatimet në fuqi, gjithashtu duhet të bëhet kontrolli doganor dhe tatimor, të inkorporohet barazi e plotë e obliguesve tatimor etj.
Evazioni fiskal në nivel lokal, si dhe mosrealizimi i mbledhjes së tatimeve nga administrata tatimore, qendrore dhe ajo lokale, ka ndikuar dukshëm në mos përmbushjen efektive të politikës buxhetore dhe fiskale në periudhën e vitit 2011edhe pse po shihet nga viti në vit i Administratës Tatimore që po arrin progres dhe po llogaritet se po konsolidohet.
Krijimi i një vetëdije për obliguesit tatimor dhe kulturës fiskale në përgjithësi do të ndikonte drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit dhe standardit më të lartë të jetesës. Rol të veçantë mund të luajnë mediat e shkruara dhe televizive, interneti, institute të ndryshme ekonomike dhe shkencore.
Politika fiskale në Kosovë duhet të jetë proporcionale me parimet e ekonomisë së hapur, kriter ky që bën të mundur inkorporimin me objektivat aktuale bashkëkohore të zhvillimit mikro dhe makroekonomik të vendit. Politika fiskale të zhvillohet si miks në mes të doganave, tatimeve dhe taksave, të ndikoj në mënyrë stabilizuese për tatimpaguesin dhe vet Buxhetin e Republikës së Kosovës, përkatësisht duke stimuluar investimet e huaja, zhvillimin e ekonomik, rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës, si burime të reja fiskale, dhe që në të njëjtën kohë krijon mundësi edhe për qëndrueshmëri afatgjatë ekonomike dhe buxhetore.


