Eliza Hoxha regjistrohet si deputete në legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës
Arkitektja dhe këngëtarja e njohur shqiptare, Eliza Hoxha, është regjistruar si deputete e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e tetë.
Interpretuesja e shumë hiteve, publikoi në rrjetet sociale një fotografi nga momenti i regjistrimit në hollin e parlamentit.
Në mbishkrimin e fotografive, Eliza bëri të ditur se u regjistrua për të dytën herë si deputete, ndërsa falënderoi të gjithë ata që e mbështetën me votë, për besimin e treguar ndaj saj.
Hoxha garoi në zgjedhjet e 14 shkurtit me numrin 3 në listën e kandidatëve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Sot u regjistrova për herë të dytë si deputete e Kuvendit të Kosovës.Uroj që legjislatura e VIII të jetë e dobishme dhe më afatgjate.I falenderoj edhe një herë të gjithë përkrahësit dhe votuesit e PDK - së që më dhanë besimin dhe nderin të jem zëri juaj në Kuvendin e Kosovës.Ka shumë punë përpara dhe ne do ta japim kontributin tonë si opozitë.Na priftë e mbara”, ka shkruar Eliza Hoxha në Instagram. /Telegrafi/


