Delegacioni nga Meyrin i Zvicrës viziton Malishevën dhe dhuron makineri për mirëmbajtjen e hapësirave publike
Komuna e Malishevës ka pritur një delegacion nga qyteti Meyrin i kantonit të Gjenevës në Zvicër, i cili solli një donacion të rëndësishëm me makineri për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe hapësirave publike të qytetit.
Delegacioni, i përbërë nga anëtarët e Këshillit të Kryetarëve të Meyrin-it, Laurent Tremblet, Xhevrie Osmani dhe Damien Baptiste Boccard, u shoqërua nga përfaqësues të mërgatës shqiptare dhe ekspertë nga Meyrin. Mysafirët u pritën në komunë nga kryetari Ekrem Kastrati, i cili falënderoi përzemërsisht për donacionin dhe për marrëdhëniet e ngushta që po thellohen mes dy komunave, përcjell Telegrafi.
Kryetari Kastrati deklaroi se pas një miqësie të gjatë tashmë do të nisin procedurat për zyrtarizimin e binjakëzimit mes Malishevës dhe Meyrin-it. Ndërkohë, përfaqësuesi i delegacionit, Laurent Tremblet, shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe theksoi krenarinë e qytetit Meyrin për bashkëpunimin e frytshëm me Malishevën.
Për nder të vizitës, në Kuvendin e Komunës u mbajt një seancë solemne, ku fjalë rasti mbajtën kryetari i komunës Ekrem Kastrati, kryetari i Kuvendit Argjend Thaçi dhe përfaqësuesi i Meyrin-it, Laurent Tremblet. Ata vlerësuan angazhimin e mërgatës shqiptare dhe kontributin e saj në forcimin e partneritetit mes dy qyteteve.
Më pas, në sheshin e qytetit u organizua ceremonia e pranimit dhe dorëzimit të makinerive, ndërsa gjatë ditës delegacioni vizitoi institucione arsimore, çerdhe publike, si dhe shërbimin e zjarrfikësve dhe shpëtimit në Malishevë. /Telegrafi/


