Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka mirëpritur zhvillimin paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale në Kosovë, përcjell Telegrafi.

Orav vlerësoi pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor, duke theksuar se raportimi i lirë, i drejtë dhe gjithëpërfshirës nga mediat ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e transparencës së zgjedhjeve.




Ai gjithashtu shprehu pritjen që e njëjta frymë e qetë dhe transparente do të vazhdojë edhe gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve.

Sipas përfaqësuesve të BE-së, ky proces konfirmon përkushtimin e Kosovës ndaj standardeve demokratike dhe përparimit në rrugën e saj drejt integrimit evropian. /Telegrafi/