LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori amerikan në Serbi: Nuk ka ndryshuar qëndrimi i SHBA për Kosovën, duam marrëveshje me njohje të ndërsjellë

Ambasadori amerikan në Serbi: Nuk ka ndryshuar qëndrimi i SHBA për Kosovën, duam marrëveshje me njohje të ndërsjellë

Ambasadori i sapoemëruar i SHBA-së në Serbi, Anthony Godfrey, ka thënë se ai nuk pretendon t’u japë leksion liderëve serbë, por shpreson për dialog të hapur,duke potencuar se qëndrimi i SHBA-së për Kosovën nuk ka ndryshuar. “SHBA duan një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës e cila ‘në rrethana ideale’ bazohet në njohjen e ndërsjellë”.

“Nuk planifikoj Që me liderët serbë të kem qasje, sikur do t’u jap leksione. Shpresoj për një dialog të hapur, dhe kur të jetë nevoja t’u them gjëra të pakëndshme, do t’i them direkt, në biseda private, sa më shumë që të jetë e mundur, sepse në atë mënyrë puna diplomatike është më efektive”, tha Godfrey, në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, përcjell Telegrafi.

Duke iu referuar pikëpamjeve të  dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, si dhe emisarit për dialog mes Kosovës dhe Serbisë të Richard Grenell, ai tha se ata të dy kërkojnë rifillimin e dialogut, i inkurajojnë dhe siç shpreson, ndihmojnë Prishtinën dhe Beogradin të arrijnë një zgjidhje, nga e cila të dy palët do të përfitojnë.

“Diçka për të cilën do të negociohet dhe që do të marrë shumë kohë, sepse është e rëndësishme për stabilitetin rajonal”, tha Godfrey.

I pyetur nëse për Uashingtonin ideja e ndryshimit të kufijve ishte fare në tryezë  dhe nëse ai nënkupton në njohjen e pavarësisë të Kosovës, diplomati amerikan tha se është e rëndësishme të arrihet te bisedimet thelbësore.

“Këtu më duhet ta citoj MattheW Palmer, i cili ka thënë se nuk ka linja të kuqe për këtë çështje, ose mbështetje blanko. Kjo është një mënyrë e mirë për të shpjeguar se si Uashingtoni i qaset kësaj çështjeje. Ne nuk do të përcaktojmë mënyrën se si dy palët, Beogradi dhe Prishtina, duhet të vijnë deri te një zgjidhje”, tha Godfrey.

Ai shtoi se është shumë e rëndësishme të arrihet te bisedimet thelbësore midis Prishtinës dhe Beogradit dhe se duhet adresuar të gjitha pengesat e mundshme,  në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme që do të kontribuonte në stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

Sipas tij, “taksat, fushata e tërheqjes së njohjes së pavarësisë, të gjitha janë sfida të rëndësishme”. /Telegrafi/