AllWeb Albania rikthehet në Shqipëri këtë nëntor, pas dy vitesh!

Bëhet fjalë për një konferencë ndërkombëtare të marketingut dixhital që është e fokusuar në shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e biznesit.


AllWeb u organizua për herë të parë në Tiranë, Shqipëri në vitin 2016, me një event që tejkaloi pritshmëritë e tij fillestare dhe u prit shumë mirë nga audienca e përbërë nga profesionistët e fushës dhe kompani e biznese novatore.

Dhe sipas një njoftimi, ajo rikthehet me misionin e saj fillestar:

“Të ofrojë përmbajtje cilësore, folës të shkëlqyer, raste studimore praktike, shkëmbim njohurish dhe shumë më tepër”.

Temat e këtij viti do të jenë përvoja e përdoruesit, eksplorimi kreativ, metaverse, web3, strategji biznesi dhe si çdo herë praktikat më të mira të marketingut dixhital.

Me pjesëmarrjen e 12 folësve ndërkombëtarë, rajonalë dhe vendas, nën drejtimin e Gerti Boshnjakut, themelues dhe drejtues ekzekutiv i New Media Group, themelues i Business Magazine Albania dhe drejtues i portalit AlbaniaTech.

Çfarë pritet nga kjo?

Sipas njoftimit, ky 2 nëntor do t’u dedikohet: marketingut dixhital, kreativitetit, metaverse, përvojës së përdoruesit, web3 dhe strategjive të biznesit.

“Ftojmë të gjithë drejtuesit e nivelit C, menaxherët e marketingut, agjencitë e reklamave, ekspertët e PR dhe komunikimit, sipërmarrësit, pronarët e SME-ve dhe konsulentët e biznesit të na bashkohen në këtë konferencë një-ditore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/