Alexander Isak iu nënshtrua një operacioni pasi theu këmbën, do t’i mungojë gjatë Liverpoolit

Klubi anglez, Liverpooli ka konfirmuar se sulmuesi i tyre, Alexander Isak, ka pësuar një frakturë në këmbën e majtë dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Edhe pse Liverpooli nuk ka njoftuar ende një afat kohor të saktë për rikthimin e Isakut në fushë, lojtari suedez, sipas vlerësimeve fillestare, do të mungojë për të paktën disa muaj.
Në deklaratën e klubit thuhet se sulmuesi 26-vjeçar iu nënshtrua me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe se bëhet fjalë për një dëmtim të kyçit të këmbës që përfshin edhe një frakturë të fibulës.
Alexander Isak today successfully underwent surgery on the injury he sustained on Saturday.
— Liverpool FC (@LFC) December 22, 2025
Fundjavën e kaluar, Isak doli nga stoli dhe shënoi një gol për ekipin e Arne Slot në ndeshjen kundër Tottenhamit, por u lëndua në atë rast.
Pas një dueli me Micky van de Ven, Isak arriti të shënonte, por menjëherë pas kësaj ai ra në fushë dhe nuk ishte në gjendje të vazhdonte ndeshjen.
Me dhimbje të dukshme, sulmuesi suedez u largua nga fusha me ndihmën e stafit mjekësor, dhe ekzaminimet e mëvonshme konfirmuan seriozitetin e dëmtimit.
Mungesa e Isakut është një goditje e madhe për Liverpoolin në pjesën tjetër të sezonit, të cilët ndoshta do të duhet të forcojnë sulmin e tyre në janar. /Telegrafi/


















































