Debutimi i shumëpritur i Trent Alexander-Arnold për Real Madridin në Bernabeu ndaj Osasunës nuk ishte ai që prisnin tifozët, pasi mbrojtësi anglez pati vështirësi të linte gjurmë në fitoren minimale 1-0 në La Liga.

I ardhur si një nga përforcimet kryesore të madrilenëve për sezonin 2025/26, ish-ylli i Liverpoolit nisi ndeshjen si titullar, por loja e tij kaloi kryesisht pa u vënë re, duke nxjerrë në pah sfidat e përshtatjes në skuadrën e Xabi Alonsos.


I njohur për krosimet e sakta dhe aftësitë sulmuese gjatë periudhës së tij në Ligën Premier, Alexander-Arnold nuk arriti të tregonte të njëjtin ndikim. “Trent nuk po bën ato vrapime dhe nuk po dërgon ato topa magjikë në zonë që i shihnim në Angli”, komentoi një tifoz madrilen gjatë ndeshjes.

Në fazën ofensive, kontributi i tij ishte i kufizuar, ndërsa në mbrojtje u vunë re dobësitë e njohura në pozicionim – të ngjashme me ato që shpesh kritikohej edhe te Liverpooli apo në Botërorin e Klubeve.

Në tribunat e Bernabéut jehonin thirrjet: “Carvajal do ta hajë për së gjalli”, duke aluduar për konkurrencën e fortë që anglezi do të ketë nga Dani Carvajal. Ky i fundit, i rikthyer nga një dëmtim, hyri në pjesën e dytë dhe solli menjëherë intensitetin e tij të zakonshëm, duke treguar se është gati të rimarrë vendin e titullarit.

Madje, Carvajal realizoi një ndërhyrje të fortë – e ngjashme me atë që dikur i shkaktoi një dëmtim serioz – por këtë herë doli pa pasoja, duke dëshmuar forcën dhe vendosmërinë e tij.

Tashmë, Alexander-Arnold gjendet përballë një prove të vështirë: ose do të përshtatet shpejt me kërkesat taktike të Alonsos dhe do të rikthejë formën e tij më të mirë, ose rrezikon të mbetet si opsion i dytë pas Carvajalit për një kohë të gjatë. /Telegrafi/

telegrafi sport app