LAJMI I FUNDIT:

Aleati i Putinit ma vodhi fitoren demokratike në Bjellorusi, Perëndimi duhet të na ndihmojë të kundërpërgjigjemi

Aleati i Putinit ma vodhi fitoren demokratike në Bjellorusi, Perëndimi duhet të na ndihmojë të kundërpërgjigjemi

Nga: Sviatlana Tsikhanouskaya, lidere e opozitës demokratike në Bjellorusi / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Kënetat me torfë përbëjnë pothuajse 15 përqindëshin e vendit tim të origjinës, të Bjellorusisë. Por, kohët e fundit, qytetarët janë bërë më të kujdesshëm ndaj këtyre ligatinave të dendura dhe acidike. Lënda e tyre e kalbur vegjetative është burim i vlefshëm karburanti dhe, pas dekadave të tharjes dhe të mënjanimit gradual, kënetat e thara – që mbeten – do të paraqesin rrezik të madh nga zjarri. Zjarret nëntokësore mund të digjen me muaj të tërë, pa u parë, përpara se të shpërthejnë në natyrë dhe të shkaktojnë shkatërrime.

Ashtu si këto zjarre nëntokësore të torfës që shtohen duke qenë të mbrojtura nga shikimi, demokracia në Bjellorusi aktualisht po digjet dhe regjimi i korruptuar dhe despotik i presidentit Aleksandër Lukashenko është kënetë në kalbje, e thatë dhe e pjekur për shkatërrim.


Pak më shumë se dy vjet më parë, konkurrova në zgjedhje, kundër sundimtarit më jetëgjatë dhe më represiv të Evropës. U detyrova të rezistoja në vend të bashkëshortit tim, Siarheit, pasi policia sekrete e Lukashenkos – e tmerruar për t’u përballur me vullnetin e popullit bjellorus – e burgosi atë, së bashku me çdo kundërshtar tjetër të mundshëm.

Kur e vura emrin tim, kisha pak pritshmëri për të fituar. Në fund të fundit, Lukashenko e ka sunduar Bjellorusinë që nga viti 1994; regjimi i tij u shndërrua nga një sundim i butë autoritar i një shefi të fermave kolektive, në një autokraci të egër që aktualisht ka 1300 të burgosur politikë nëpër burgjet e veta.

Kur ekipi im dhe unë i shikonim rezultatet e zgjedhjeve – duke u shpalosur, nga selia jonë në Minsk – u habitëm kur pamë dhjetëra mijëra foto të fletëvotimeve, me shenjën pranë emrit tim, që po vërshonin internetin. Në mbrëmje, njerëzit qëndruan në qendrat e votimit për të kërkuar numërim të drejtë. Pasi u mohua kjo, me mijëra vetë dolën për të protestuar në qendër të qytetit, duke nisur në vend revolucionin që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Bjellorusia është bërë shkretëtirë politike. Shoqëria civile është e detyruar të kalojë në ilegalitet. Gazetarët i publikojnë materialet e tyre në mënyrë anonime. Megjithatë, Lukashenko është shumë jopopullor dhe shumë më i dobët nga ajo që shumica mendon. Mbështetet nga jo më shumë se 25 për qind e popullsisë: kryesisht pensionistë, burokratë dhe personel i shërbimit të sigurisë, të cilët varen nga shteti për një punë në ekonominë tankiste.

Lukashenko nuk do t’i mbijetonte kryengritjes që pasoi në zgjedhjet e vjedhura të vitit 2020, nëse nuk do të ishte Vladimir Putini. Presidenti rus dërgoi propagandues, mbështetje financiare dhe, përfundimisht, tanket në përpjekjen për ta mbështetur aleatin e vet të vjetër sovjetik – më pas e detyroi t’i paguante borxhet, duke kërkuar mbështetje për pushtimin katastrofik të Ukrainës, 18 muaj më vonë.

Mbështetja jopopullore e Lukashenkos për luftën e paligjshme të Putinit, që tmerroi aq shumë botën e zhvilluar, duhet të përshpejtojë fillimin e fundit të tij. Miliona bjellorusë janë të zemëruar se pse trupat ruse u lejuan të marshonin nëpër tokat tona, përpara se të fillonin sulmin e tyre të dështuar në Kiev.

Tashmë janë vendosur sanksionet kundër Lukashenkos dhe miqve të tij. Por, ato mund të shkojmë shumë më tej. Kemi nevojë për më shumë sanksione monetare dhe dytësore, që synojnë ekonominë shtetërore që ushqen agjencinë e inteligjencës KGB – të Lukashenkos dhe të makinës së luftës të Putinit. Bankat shtetërore bjelloruse duhet të eliminohen nga sistemi financiar global, ndërsa kompanitë shtetërore duhet të përjashtohen nga regjimi bankar Swift.

Sigurisht, Lukashenkos nuk i intereson që Bjellorusia është shtet vasal. Në çdo fazë të sundimit të tij, ai e ka mbështetur Rusinë mbi popullin e vet. Lukashenko donte që ne të flisnim rusisht, më shumë se në gjuhën tonë. U përfol se qëllimi i tij personal, në një fazë, ishte që të bëhej president i Rusisë. Pavarësisht ndërprerjeve mediatike, një masë kritike e popullit bjellorus tani e kupton se ata udhëhiqen nga një agjent i Kremlinit, i cili ulet në kulmin e një vendi që nuk dëshiron të ekzistojë. Neveria publike po rritet. Zjarret demokratike të Bjellorusisë më në fund do të zhurmojnë, por pyetja e vetme është kur.

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që u hap javën e kaluar, komuniteti ndërkombëtar duhet të bëhet bashkë dhe të dërgojë një mesazh të fortë se bota është e bashkuar prapa shumicës demokratike në Bjellorusi.

Natyra e autokracisë së Lukashenkos do të thotë se dënimet mund të zbatohen relativisht lehtë, pa shumë dëme për bjellorusët e pafajshëm. Shtetet anëtare të OKB-së mund të synojnë entitetet shtetërore që mbështeten te patronazhi i Lukashenkos, duke e lënë sektorin privat të lulëzojë. Mediat bjelloruse dhe shoqëria civile kanë nevojë për mbështetje financiare. Kjo do të krijonte stimuj që gjithnjë e më shumë njerëz të zgjedhin rrugën e demokracisë, të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës.

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Bjellorusia duhet të jetë te tryeza, jo në tryezë, dhe pavarësia jonë territoriale dhe sovraniteti politik duhet të garantohen. Lukashenko e ka vendosur Bjellorusinë në qendër të krizës të Evropës Lindore. Megjithatë, mbetet pjesë e zgjidhjes – vendndodhja jonë gjeografike ka rëndësi të madhe për Kremlinin. Hiqeni kukullën Lukashenko dhe hiqeni “ballkonin” bjellorus të Putinit, i cili shihet mbi Evropën Lindore dhe ofron qasje strategjike në Poloni dhe te shtetet baltike. Pa dyshim se e ardhmja e vendit tim po ngrihet tashmë në kanalet e pasme diplomatike. Por, bota nuk duhet të përkulet para presionit rus. Ata nuk duhet të heqin dorë nga asnjë metër katror i Bjellorusisë, në përpjekjen për t’i dhënë fund luftës së dëshpëruar të Putinit.

Së fundi, OKB-ja duhet ta bëjë shumë të qartë se kërkesa e Lukashenkos që armët bërthamore ruse të vendosen në territorin Bjellorusi, do të shkaktonte reagim të ashpër. Ashtu si Ukraina, Bjellorusia hoqi dorë nga arsenali i saj bërthamor më 1994, në këmbim të garancive të sigurisë nga Perëndimi – dhe nga Rusia. Putini tani hoqi dorë nga detyrimet e Moskës, sipas ligjit ndërkombëtar. Perspektiva e transportimit të armëve bërthamore ruse në Bjellorusi, e cila kufizohet me disa vende të NATO-s, do të ishte makth për Perëndimin.

Bjellorusët janë popull shumë i durueshëm. Kemi vuajtur shumë gjatë, pa u ankuar. Një nga karakteristikat tona kombëtare është “ciarpila”, që do të thotë “durim”. Pas 28 vjetëve, kemi duruar mjaft në duart e Lukashenkos. Është koha që komuniteti ndërkombëtar të na ndihmojë ta ndezim një ferr që më në fund e rrëmben këtë tiran të keq. /Telegrafi/