Aleanca e rinovuar ShBA-Arabi Saudite, për një Lindje të Mesme në ndryshim

Nga: Jason D. Greenblatt, ish-i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme gjatë administratës së parë të presidentit amerikan Donald Trump / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Vizita e ardhshme e princit të Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman (MBS), në Shtëpinë e Bardhë, është më shumë se një ngjarje diplomatike - është një moment vendimtar për marrëdhëniet ShBA-Arabi Saudite dhe për të ardhmen e Lindjes së Mesme.
Në një kohë të tensionit global dhe pasigurisë rajonale, ky takim riafirmon aleancën thelbësore për Amerikën, për Izraelin, për partnerët tanë rajonalë dhe për një botë më të qëndrueshme dhe të begatë.
Në thelb të kësaj marrëdhënieje qëndron një e vërtetë e thjeshtë: Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite kanë nevojë për njëra-tjetrën. Në një rajon të kërcënuar nga agresioni i regjimit iranian, terrorizmi dhe paqëndrueshmëria në shtetet si Siria dhe Libani, fuqia e Amerikës varet nga partnerët e aftë dhe me të njëjtin mendim. Arabia Saudite ka qenë prej kohësh një nga aleatët më të rëndësishëm të ShBA-së. Një partneritet i fortë mbrojtës ShBA-Arabi Saudite ndihmon në frenimin e akterëve armiqësorë, në mbrojtjen e rrugëve tregtare detare dhe në sigurimin e burimeve energjetike globale që mbajnë në këmbë ekonominë botërore.
Së bashku, të dy vendet mbrojnë Detin e Kuq dhe Gjirin Arabik (Persik), kundërveprojnë ndaj sulmeve me dronë dhe raketa nga milicitë e mbështetura nga Irani, dhe ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore. Një pakt formal mbrojtës - që lidh teknologjinë dhe inteligjencën amerikane me burimet dhe ndikimin saudit - do ta forconte këtë bashkëpunim në mënyrë afatgjatë. Kjo do të tregonte se Riadi është gati të ndajë barrën e sigurisë rajonale dhe se Uashingtoni mbetet një aleat i besueshëm.
Për ta kuptuar rëndësinë e kësaj aleance, duhet kuptuar edhe vetë princi i Kurorës. Nën udhëheqjen e MBS-së, mbretëria ka ndërmarrë një nga transformimet më ambicioze në historinë moderne. Nisma e tij, “Vizioni 2030”, synon të diversifikojë ekonominë, përtej naftës, të nxisë sipërmarrjen, të zgjerojë turizmin dhe ta bëjë Arabinë Saudite një qendër globale për investime dhe inovacion - dhe, sipas shumicës së treguesve, po arrin suksese mbresëlënëse.
Në aspektin kulturor, MBS ka ndërmarrë hapa të guximshëm për ta hapur shoqërinë saudite. Gratë janë përfshirë në tregun e punës në nivel rekord. Është kufizuar policia dikur e fuqishme fetare. Koncertet, kinematë dhe festivalet kulturore - dikur të paimagjinueshme - tani janë pjesë e jetës së përditshme. Mbretëria nuk është më vetëm një furnizues global i energjisë, por është shndërruar në një qendër kreativiteti, teknologjie, i mundësive dhe gjithnjë e më shumë edhe i turizmit.
Për Shtetet e Bashkuara, këto reforma kanë rëndësi. Një Arabi Saudite moderne dhe e sigurt në vete - që investon në popullin e vet, përqafon inovacionin dhe merr përgjegjësinë për sigurinë e vet - është një partner me të cilin Amerika mund të ndërtojë. MBS nuk po e udhëheq thjesht vendin e tij drejt së ardhmes; ai po e riformëson rajonin në mënyrat që përputhen me interesat amerikane dhe me vlerat e përbashkëta të përparimit dhe qëndrueshmërisë, ndërsa nderon identitetin kulturor dhe fetar të Arabisë Saudite.
Ky transformim shtrihet edhe në ekonomi. Paketa e fundit e shpallur prej 600 miliardë dollarësh në investime dhe tregti është një hap gjigant. Për Shtetet e Bashkuara, kjo ka kuptim shumë më të thellë se thjesht numrat në një bilanc - ajo nënkupton vende të reja pune, tregje të zgjeruara për teknologjinë dhe industrinë e mbrojtjes amerikane, si dhe një bazë më të fuqishme industriale. Investimi saudit në infrastrukturën, energjinë dhe inovacionin amerikan pasqyron besimin në ekonominë e ShBA-së dhe njohjen se begatia e përbashkët forcon sigurinë e përbashkët.
Për Arabinë Saudite, këto partneritete përshpejtojnë diversifikimin dhe modernizimin. Për Shtetet e Bashkuara, ato ankorojnë një aleancë jetike në përfitime të prekshme për punëtorët dhe kompanitë amerikane. Lidhjet më të forta ekonomike krijojnë marrëdhënie më të ngushta gjeopolitike.
Pikërisht për këtë arsye, pakti i propozuar i mbrojtjes është kaq i rëndësishëm. Ai nuk ka të bëjë vetëm me frenimin e kundërshtarëve; siguron që ekspertiza dhe inovacioni amerikan të mbeten në qendër të arkitekturës së sigurisë së rajonit. Ai ruan ndërveprueshmërinë e aleatëve, forcon pengesën ndaj regjimit iranian dhe qetëson partnerët - nga Izraeli në Gjirin Persik - se Amerika mbetet plotësisht e angazhuar.
Për Izraelin, një Arabi Saudite e sigurt dhe me vizion është veçanërisht domethënëse. Ajo ul tensionet dhe hap rrugën për bashkëpunim më të thellë në fushat e inteligjencës, mbrojtjes nga raketat dhe sigurisë detare. Për pjesën tjetër të rajonit, ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit dhe vazhdimin e progresit diplomatik e ekonomik. Kur partneriteti ShBA-Arabi Saudite është i fortë, përfiton i gjithë rajoni.
Kjo qëndrueshmëri ka rëndësi përtej Lindjes së Mesme. Kur rajoni përjeton kriza, amerikanët e ndiejnë - në çmimet e karburantit, në ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe në të gjithë ekonominë globale. Një partneritet i qëndrueshëm me Arabinë Saudite nënkupton më pak kriza, më pak pika të nxehta konflikti dhe më shumë parashikime në një botë të pasigurt.
Pastaj kemi horizontin diplomatik - qëllimi i kahershëm për normalizimin e marrëdhënieve midis Arabisë Saudite dhe Izraelit. Mbretëria e ka bërë të qartë se përparimi drejt shtetësisë palestineze duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje. Kjo rrugë do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, veçanërisht pas mizorive të Hamasit më 7 tetor dhe pasojave tragjike që pasuan. Megjithatë, historia tregon se përparimet shpesh lindin nga udhëheqja e guximshme dhe diplomacia krijuese.
Me kushtet e duhura - dhe nën udhëheqjen e një presidenti amerikan me vizion dhe vendosmëri, si presidenti Donald Trump - përparimi është i mundur. Edhe hapat e pjesshëm drejt normalizimit mund ta riformësojnë hartën politike të rajonit, të mbështesin forcat moderuese dhe të hapin shtigje të reja drejt paqes. Mirëkuptimi saudo-izraelit, që fillon me hapa gradualë, jo vetëm që do të transformonte marrëdhëniet midis dy kombeve të mëdha, por gjithashtu do të sillte shpresë të re për palestinezët dhe më shumë qëndrueshmëri për Libanin, Sirinë dhe më gjerë.
Kjo vizitë në Shtëpinë e Bardhë nuk është thjesht një mundësi për foto - është një moment me qëllim të qartë. Është një mundësi për të rinovuar partneritetin që u ka shërbyer mirë të dy vendeve për dekada dhe për ta rishpikur atë për një epokë të re.
Arabia Saudite, nën drejtimin e MBS-së, është një komb në lëvizje energjike - duke investuar, duke reformuar dhe duke marrë përsipër përgjegjësitë globale. Pakti i mbrojtjes, angazhimet e gjera për investime dhe transformimi social që po ndodh, flasin për një të ardhme ku Arabia Saudite mbetet aleat i besueshëm në zemër të një rajoni jetik - dhe një partner i gatshëm për të ndihmuar në formësimin e një bote më të sigurt dhe më të begatë.
Me udhëheqjen e presidentit Trump dhe vizionin e princit të Kurorës, Mohammed bin Salman, horizonti për paqe dhe përparim në Lindjen e Mesme rrallëherë ka qenë më premtues. Sfidat janë të mëdha - por, e tillë është edhe mundësia. Kur udhëheqja dhe guximi bashkohen, edhe problemet më të ndërlikuara mund t’ia hapin rrugën një të ardhmeje më të mirë. /Telegrafi/


















































