Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është distancuar nga deklarata e zv.ministrit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, i cili akuzoi palën ndërkombëtare për nxitje të trazirave në veri në disa raste.

Haxhiu tha se deklarata e Vokrrit është e papranueshme dhe nuk është qëndrim as i Lëvizjes Vetëvendosje e as i Qeverisë.


“Unë distancohem nga kjo deklaratë. Nuk kam arritur ta shoh se çka ka thënë, por ky nuk është qëndrim i imi, nuk është qëndrim i Vetëvendosjes e nuk është qëndrim i Qeverisë. Ne distancohemi nga kjo deklaratë”, ka thënë ajo, të enjten në emisionin “Konfront” të KTV-së.

Haxhiu e ka quajtur “gabim” deklaratën e Vokrrit dhe ka thënë se do të hetohet nga institucionet për deklaratat e tij.

“Besoj, pa thënë unë fare, ai (Vokrri) do të ftohet prej institucioneve përgjegjëse, Policisë dhe Prokurorisë. Kjo deklaratë duhet të trajtohet. Ne e dimë kush i ka bërë trazirat në veri”- ka thënë Haxhiu.

Arbër Vokrri, zëvendësministër i Pushtetit Lokal, në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, të enjten, më 22.05.2025, tha se pala ndërkombëtare i ka nxitur vetë trazirat. Mandej ai ka akuzuar edhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, si nxitës të këtyre trazirave.