Bota e kinemasë ka humbur një nga ikonat e saj më të mëdha: aktorja fituese e çmimit Oscar, Diane Keaton, ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga producentja dhe mikesha e saj, Dori Rath, për CBS News.


E lindur në Los Angeles, Keaton u bë e famshme në vitet e 70-ta me rolin e Kay Adams-Corleone në sagën e famshme “The Godfather”, ndërsa kulmin e karrierës e arriti me “Annie Hall”, film që i solli çmimin Oscar për aktoren më të mirë në vitin 1978, shkruan BBC.

The Godfather Part II, Diane Keaton luajti në trilogji si Kay Corleone

Gjatë karrierës pesëdekadëshe, ajo luajti në dhjetëra filma të suksesshëm si “Father of the Bride”, “First Wives Club”, “The Family Stone” dhe “Something’s Gotta Give”.

Përveç aktrimit, Keaton u dallua edhe si regjisore dhe producente, duke realizuar projekte të veçanta si dokumentari “Heaven” (1987) dhe filmi “Unstrung Heroes” (1995), i përzgjedhur në Festivalin e Kanës. Filmi i saj i fundit ishte “Summer Camp” (2024), ku luajti përkrah Eugene Levy dhe Kathy Bates.

Goldie Hawn, Diane Keaton dhe Bette Midler (First Wives Club)

Stili i saj i veçantë, veshjet me frymë mashkullore, kapelat karakteristike dhe humori i natyrshëm, e bënë Diane Keaton një figurë të pazëvendësueshme në kulturën e Hollywood-it.

Yje si Bette Midler, Goldie Hawn, Steve Martin dhe Ben Stiller i bënë homazhe, duke e përshkruar si “të paharrueshme, origjinale dhe plot dritë”.

Keaton nuk u martua kurrë dhe kishte dy fëmijë të adoptuar, Dexter dhe Duke. Në autobiografinë e saj “Then Again”, ajo shkroi: “Jam e lumtur kur ata që dua janë të lumtur. Kjo është formula ime e jetës”. /Telegrafi/