Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj 11 personave për veprimtari të paligjshme në Isniq të Deçanit.

Dhjetë prej tyre – A.O., G.N., A.Sh., H.R., M.K., P.A., E.B., A.J., R.B. dhe F.H. – akuzohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm, ndërsa i pandehuri F.M. akuzohet për posedim të paautorizuar të armëve.


Sipas aktakuzës, Prokuroria ka dokumentuar veprimet inkriminuese të secilit të pandehur. Nga hetimet rezulton se më 17 gusht 2025, rreth orës 02:00, i pandehuri A.O. ka organizuar në lokalin e tij “Te Katamt” një veprimtari të lojërave të fatit dhe skemave piramidale, të cilat konsiderohen të paligjshme.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, nëntë të pandehurit e tjerë janë kapur teksa tentonin të largoheshin nga dhoma ku zhvillohej bixhozi. Në vendngjarje janë gjetur letra bixhozi dhe një shumë e konsiderueshme parash – gjithsej 17,578 euro – të cilat janë sekuestruar.

Ndërkohë, i pandehuri F.M. akuzohet se gjatë natës së rastit kishte në posedim një armë pa autorizim.

Prokuroria vlerëson se ekziston dyshimi i bazuar mirë që të gjithë të pandehurit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë.

Me ngritjen e aktakuzës, prokurori i çështjes ka propozuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./Telegrafi/