Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar opinionin publik për një aksion të zhvilluar sot në kuadër të një hetimi penal, me urdhër të Gjykatës kompetente dhe bazuar në kërkesën me shkrim të Prokurorit të Shtetit.

Deri më tani, janë arrestuar katër persona: dy zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” (neni 414 i Kodit Penal të Kosovës), të cilët dyshohet se kanë lëshuar certifikata për pajisje me leje armësh pa iu nënshtruar procedurave ligjore, dhe dy persona të tjerë për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” (neni 309 i KPRK-së).


Prokuroria njofton se gjatë urdhër-kontrollit janë sekuestruar dokumente të rëndësishme, të cilat do të shërbejnë për zhvillimin e mëtejshëm të hetimeve.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kryerjes së veprave penale dhe në sundimin e ligjit,” thuhet në njoftim.

Prokurori i Shtetit do të parashtrojë brenda afatit ligjor kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurve, ndërkohë që hetimet për këtë çështje vazhdojnë. /Telegrafi/