Komuna e Mitrovicës ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh në funksion të përmirësimit të rendit urban dhe cilësisë së hapësirave publike në qytet.

Drejtoria e Inspekcionit është duke vazhduar aksionet në terren për zbatimin e rendit, rregullit dhe ligjit, ku inspektorët komunalë po largojnë tabelat reklamuese dhe billboardet e vendosura pa leje dhe që shfrytëzohen në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.


Drejtori i Inspektoratit, Mujë Igrishta, ka bërë të ditur se aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.



“Aksione do të ketë në vazhdimësi deri sa të krijohet hapësirë publike më e rregullt dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë ka nisur punimet për pastrimin e shëtitores së Kejit dhe hapësirave përreth lumit Ibër.

Sipas njoftimit, paralelisht janë duke u zhvilluar edhe punime për rregullimin e kanalizimit nga zona e palestrës deri tek ura e re për vetura mbi lumin Ibër.

Nga komuna theksohet se këto ndërhyrje kanë për qëllim rritjen e cilësisë së hapësirave publike, zhvillimin e qëndrueshëm urban, si dhe parandalimin e ndotjes dhe kundërmimit në këtë pjesë të qytetit. /Telegrafi/