Aksion i përbashkët i Prokurorisë dhe Doganës – një i arrestuar për keqpërdorim të pozitës
Një person është arrestuar sot në Prishtinë, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Përvetësimi në detyrë”.
Lidhur me arrestimin e tij ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë/Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik, se në bashkëpunim dhe në koordinim me Hetuesit e Doganës së Kosovës, ka realizuar një aksion gjatë të cilit është arrestuar një person i dyshuar për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’’ bazuar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘’Përvetësimi në detyrë’’ në bazë të nenit 418 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Personi i dyshuar është ndaluar me urdhër të Prokurorit të shtetit për një periudhë prej 48 orësh, ndërsa brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ndjekjen e veprave penale, duke vepruar në mënyrë të intensifikuar me qëllim të mbrojtjes së rendit dhe interesit publik./Telegrafi/






























