Aksion kundër keqpërdorimit të ujit, KRU “Hidrodrini” zbulon kyçje ilegale

KRU “Hidrodrini” në Pejë ka njoftuar se ka intensifikuar aksionet në terren për identifikimin dhe parandalimin e keqpërdorimit të ujit të pijes.
Sipas kompanisë, inspektorët rajonalë kanë zhvilluar një aksion të gjerë dhe të befasishëm, gjatë të cilit janë evidentuar raste të kyçjeve ilegale dhe përdorimit të paautorizuar të ujit.
KRU “Hidrodrini” u ka bërë thirrje konsumatorëve me obligime të papaguara që t’i shlyejnë borxhet sa më parë, në mënyrë që të shmangin ndërprerjen e furnizimit dhe kostot shtesë për rikyçje.
Nga kompania kanë theksuar se pagesa me kohë e faturave është përgjegjësi e konsumatorëve dhe një nga faktorët kryesorë për sigurimin e një shërbimi të qëndrueshëm dhe cilësor për të gjithë qytetarët.
KRU “Hidrodrini” ka falënderuar konsumatorët e rregullt për bashkëpunimin dhe ka apeluar për përdorim racional të ujit. /Telegrafi/



































