Aksidenti në Vragoli, bllokohet Fushë Kosova nga kolona e automjeteve
Një aksident trafiku ka ndodhur rreth orës 14:35 në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në afërsi të Vragolisë.
Si pasojë e aksidentit katër persona kanë pësuar lëndime.
Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, ka bërë të ditur se drejtuesi i një kamioni me targa vendore ka humbur kontrollin e mjetit, duke kaluar në anën e kundërt të rrugës dhe duke goditur katër automjete të tjera.
Ndërsa, drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla tha se katër persona janë duke u trajtuar në Qendrën Emergjente.
"Gjendja stabile është për të gjithë”, deklaroi Syla.
Si pasojë e aksidentit, në këtë segment rrugor janë krijuar kolona të gjata automjetesh.
Lexues të Telegrafit kanë dërguar fotografi nga vendngjarja, ku shihet bllokada e plotë e komunikacionit.
“Kemi bërë një orë nga Prishtina deri në hyrje të Fushë Kosovës”, u shpreh një lexues.
Njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit./Telegrafi/

















































