LAJMI I FUNDIT:

AKB: Mbi 40 milionë euro investime të huaja më pak se në vitin e kaluar

AKB: Mbi 40 milionë euro investime të huaja më pak se në vitin e kaluar

Aleanca Kosovare e Bizneseve publikoi pjesën e parë të hulumtimit “Vlerësimi i Nevojave të tregut të Punës 2019” në mbështetje të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së tha se ky hulumtim, realizohet për herë të shtatë në Kosovë nga AKB-ja dhe sivjet publikohet në tri pjesë pasi që është voluminoz dhe interesant për publikun dhe institucionet vendore dhe ndërkombëtare, por dhe për të lansuar më mirë edhe nëpër qendrat të tjera të Kosovës.


Sipas tij, synimi kryesor i këtij hulumtimi është vlerësimi i nevojave në tregun e punës dhe trendët në tregun e punës, si dhe dinamikat e aktiviteteve të ndryshme të cilat kërkojnë studime të veçanta shkencore dhe të përvitshme sepse proceset zhvillimore në ekonominë e tregut karakterizohen me ndryshime të shpejta si rezultat i industrializimit të vendit dhe digjitalizimit.

Siç thuhet në një njoftim, kryetari i AKB-së tha se zhvillimi ekonomik karakterizohet kryesisht nga ndërmarrjet e vogla, të mesme e të mëdha, remitencat dhe investimet e huaja, duke shtuar se vendi ynë kategorizohet si vend me të ardhura të ulëta dhe se sektori privat është përballur me mjaft sfida si informaliteti i lartë e barrierat e shumta ku sivjet është më keq se më parë.

Sipas Shahinit, rritja ekonomike më 2018 ishte 3.8 për qind derisa më 2017 ishte 4.2.

“Rritja ishte shkak i remitencave nga diaspora që ishin burim i zhvillimit sidomos në patundshmëri dhe janë të hyrat më të mëdha mbi 800 milionë euro e që janë dyfish më shumë”.

Shahini ka thënë se më 2018 janë punësuar 345 mijë veta apo 11 mijë e 964 më pak sesa më 2017 ku ishin punësuar 357 mijë veta.

Gjithashtu është thënë se ka një trend të rritjes së mbylljes së bizneseve të huaja ku më 2018 janë mbyllur 65.

“Më 2018 janë regjistruar 9.960 biznese, derisa kanë mbyllur 1592. Derisa biznese të huaja më 2018 ishin regjistruar 755 ku ka ulje për 12 sosh nga viti paraprak. Ndërsa biznese të huaja janë mbyllur 65”.

Veç këtyre është bërë e ditur se më 2018 remitencat shënuan rritje në 800.6 milionë euro të cilat shërbejnë si burim për konsum e investim dhe të cilat më së shumti bëhen në patundshmëri.

“Investime të huaja direkte më 2018 kanë rënë në 213.7 milionë euro apo 46 për qind më pak se më 2011 kur ishin 384.4 milionë euro investime të huaja. Apo mbi 40 milionë investime të huaja më pak se në vitin e kaluar”, thuhet në komunikatën e AKB-së. /Telegrafi/