LAJMI I FUNDIT:

Airbnb: Pandemia COVID-19 ka ndryshuar përgjithmonë udhëtimet

Airbnb: Pandemia COVID-19 ka ndryshuar përgjithmonë udhëtimet

Mënyra si njerëzit udhëtojnë ka ndryshuar përgjithmonë për shkak të pandemisë COVID-19, thekson shefi i platformës për strehim Airbnb, Brian Chesky.

Ai thotë se njerëzit po zgjedhin të kalojnë pushime më të gjata me familjen dhe miqtë e tyre, pasi po kërkojnë më shumë “lidhje njerëzore”.


“Unë mendoj se po përjetojmë një revolucion në mënyrën e udhëtimit. Dikur jetonim në një vend të caktuar – në shtëpinë tonë, shkonim në një vend tjetër, në zyrë dhe udhëtonim në një vend të tretë. Tani të tria këto vende janë konvergjuar. Fakti që punëdhënësit nuk do t’i detyrojnë të gjithë njerëzit të kthehen në zyrë pesë ditë në javë, është një shenjë që tregon se gjithçka ka ndryshuar përgjithmonë”, tha Chesky.

Airbnb u godit rëndë nga pandemia, duke humbur rreth 80 për qind të biznesit brenda disa muajsh. Megjithatë, Chesky tha se kërkesa ishte rikthyer fuqishëm që nga vera e kaluar, ndërsa zakonet e klientëve kanë ndryshuar.

Në Shtetet e Bashkuara, rezervimet nga familjet në Airbnb për udhëtime në fundjavë u rritën me 70 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2021, krahasuar me 2019-në. Kompania ka vënë re një “rritje të konsiderueshme” të rezervimeve për udhëtime familjare këtë vit. /Telegrafi/