"Ai mi ka myt vllaznit e mi", 15 vjet burgim për Millosh Pleskoviqin për krime lufte - familjarët e viktimave ankohen për dënim të ulët
Familjarët e viktimave pas aktgjykimit ndaj Millosh Pleskoviqit dhe dënimit të tij me 15 vjet burg për krime lufte në Prizren, e vlerësuan si dënim të butë dhe kërkuan dënim të përjetshëm të Pleskoviqit.
Ganimete Daçaj, motra e viktimave tha se Millosh Pleskoviqi ia ka mbyt vëllezërit e saj.
‘Ai mi ka myt vllaznit e mi, edhe pak është gjykata që e ka dënu, pak është. Ato duhet përjetë se qeshtu po bëjnë edhe po shkojnë. Ai i ka ngjoftë vllaznit e mi, ai po paraqitet që s’i ka ngjoftë, po qaty në mahall tonë janë kanë ata, ai është Milloshi”, ka thënë Daçaj.
Daçaj po ashtu tha se: “Pak është dënimi, shumë pak është dënimi. Ai mi ka masakruar vllaznit e mi. Pak është, shumë duhet. Nuk është që mi ka myt veç vllaznit e mi, ai i ka myt krejt edhe të Prizrenit që janë kanë. Krejt nanat po kajnë. Pak është kjo që e ka dhanë gjykata. I ka nxanë vllaznit e mi në mal, i ka myt edhe i ka masakruar’’, ka thënë ajo.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe dënuar me 15 vjet burgim Millosh Pleskoviqin, i akuzuar për krime lufte në Kosovë.
Sipas aktakuzës, Pleskoviq gjatë vitit 1998-‘99 në Prizren në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë. /Telegrafi/































