LAJMI I FUNDIT:

Ahmeti dëshmoi për rastin “Monstra”: Ka pasur informacione se viktimat janë masakruar

Ahmeti dëshmoi për rastin “Monstra”: Ka pasur informacione se viktimat janë masakruar

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, sot në Gjykatën Penale të Shkupit ka dëshmuar për rastin “Monstra”, në rolin e deputetit.

Ai tha se për vrasjet që ndodhën në Liqenin e Smillkovës ka marrë vesh një ditë pas nga mediumet, njofton Telegrafi Maqedoni.


“Ishte ngjarje shumë tragjike. Sigurisht se kam biseduar me shumë njerëz, nëse vlen për gjykatën dhe opinionin bisedat e mia le të bëhen publike. Normalisht se nuk më kujtohen të gjitha detajet, por kam folur që ta shohim të vërtetën e ngjarjes, pasi ishim të shqetësuar. Unë si kryetar partie dhe deputet isha i shqetësuar, pasi nuk ishte situatë e lehtë, të gjithë në njëfarë mënyre kemi qenë të shqetësuar”.

“Të gjitha bisedat i kam pasur me bashkëpunëtorët e mi. Detajet nuk më kujtohen. Kam biseduar me bashkësinë ndërkombëtare, kam kërkuar ndihmë nga zonja Nuland, si ndihmës sekretare e SHBA-ve, si dhe nga përfaqësues të lartë të BE-së. Përgjigjja e Nuland ishte se ata nuk mund të ndihmojnë në këtë ngjarje. Edhe përgjigja e BE-së dhe SHBA-ve ishte që ata besojnë tek OSBE-ja”, tha Ahmeti.

Prokurorja Fatime Fetai e pyeti Ahmetin, nëse i kujtohet biseda e tij me Safet Nezirin.

“Jo vetëm me Safetin, por kam biseduar edhe me shumë njerëz tjerë që eventualisht mos të akuzohen pa faj. Nuk e mohoj që kam biseduar me të. Do të ishte mirë që gjykata de të gjithë ta dijnë se çfarë kam biseduar me të”, tha Ahmeti.

Më 12.05.2012 Ahmeti ka kërkuar nga Safet Neziri që të formohet komision paralel për zbardhjen e rastit. Fetai e pyeti se në çfarë ka dyshuar, që ka kërkuar komision paralel.

“Kishin informacione të konfirmuara dhe të pakonfirmuara se mund të ndodhin protesta për këtë ngjarje dhe punët të dalin nga kontrolla”, tha Ahmeti.

“Dy ditë pas ngjarjes bashkëbiseduesit i keni thënë se viktimat kanë qenë të qëlluar në mënyrë klasike. Çfarë keni ditur”, e pyeti Fatime Fetai, Ahmetin.

“Informacionet i kam pasur nga organet, nga isntitucionet, se ata nuk janë vetëvra, por janë masakruar”, iu përgjigj Ahmeti.

Ndërsa pas përfundimit të dëshmisë së tij, Ahmeti para gazetarëve tha se dëshiron që të zbardhet e vërteta për këtë rast, pasi sipas tij, BDI-ja e ka paguar koston më të madhe politike për këtë ngjarje.

Ndryshe, sot për rastin “Monstra” duhet të dëshmojë edhe Xhelal Bajrami./Telegrafi/