Komuna e Ferizajt gjatë këtij viti do të përballet me pagesa të larta deri në 12.7 milionë euro për kontratën kolektive e cila ishte nënshkruar disa vjet më parë nga Qeveria e Kosovës, por që barra ndërkohë u është bartur komunave.

Kjo faturë për pagesa i është prezantuar komunës së Ferizajt e cila do të realizohet gjatë këtij viti, por përfituesit më të mëdhenj përveç mësimdhënësve dhe shërbyesit tjerë shtetëror janë avokatët dhe përmbaruesit të cilët marrin rreth 30 për qind të shumës financiare për realizimin e lëndëve.


Agim Aliu, kryetar i Komunës së Ferizajt, në një intervistë për Telegrafin, ka sqaruar se gjendja financiare në të gjitha komunat ka qenë e rënduar, por sivjet vazhdon të jetë edhe më e rënduar shkaku i kontratës kolektive.

Sipas tij, për këtë situatë i kanë bërë paralajmërimet me kohë në nivelin qendror duke filluar nga kryeministri Kurti dhe ministri i financave, por deri më tash nuk kanë gjetur përkrahje, ani pse Qeveria e Kosovës është nënshkruese e kësaj kontrate.

“Ne si kryetar të komunave asnjëherë nuk e kemi kundërshtuar kontratën kolektive , por ne e kemi kundërshtuar adresën e obligimeve se kush duhet të paguaj për kontratën kolektive dhe e kemi konsideruar si të padrejtë gjithmonë se pse  duhet të paguajnë komunat kur ato nuk janë nënshkruese të kontratës kolektive. Pra këtë barrë të nënshkrimit të kontratës kolektive duhet ta bartin ata që e kanë nënshkruar, pra Qeveria e Kosovës sepse janë tre kryeministra të cilët e kanë nënshkruar kontratën kolektive sëbashku me ministrat e tyre dhe ata është dashur t’i përgjigjen nënshkrimit të tyre dhe gjetjen e mundësive buxhetore që të paguhet kontrata kolektive”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, fatkeqësisht Qeveria e Kosovës nuk i ka kryer këto pagesa, por barrën ua ka bartur komunave padrejtësisht. Aliu shpjegon se për këtë kontratë komuinat janë dëmtuar me dhjetëra miliona euro.

“Më saktë nga kalkulimet që i kemi bërë nga vitet e kaluara ka qenë një shifër prej afro 150 milion eurove që janë dëmtuar komunat e Republikës së Kosovës, kryesisht në investime kapitale dhe në mallra dhe shërbime. Nuk ka asnjë takim që kemi pasur me kryeministra dhe që ne nuk e kemi ngritur këtë shqetësim, fatkeqësisht nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Ne po ashtu e kemi ngritur edhe çështjen se nuk janë përfitues vetëm ata që janë pjesë e kontratës kolektive si mësimdhënësit dhe shërbyesit tjerë shtetëror, por përfituesit më të mëdha janë përfituesit e tretë si avokatët dhe përmbaruesit dhe kjo është gjëja e padrejtë që po i ndodh buxhetit të komunave”, ka thënë më tej Aliu.

Sipas tij, Komuna e Ferizajt ka pësuar shumë sepse ndërkohë kanë pranuar një faturë prej 12.7 milion euro që duhet të paguajnë në kuadër të proceseve përmbarimore.

“Fatkeqësia më e madhe është se rreth 30 për qind e kësaj pjese u paguhet pjesës tjetër të përfituesve të tretë që janë avokatët dhe përmbaruesit. Pra nuk ka ndonjë gjakderdhje më të madhe financiare se sa me kontratën kolektive. Të gjitha këto ia kam thënë edhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, por ia kam thënë edhe kryetarit të kuvendit të Kosovës që ne si asociacion i Komunave kemi pasur takime para se të miratohet buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2025, por pa sukses. Kërkojmë që të ndalet kjo dhe të paguhen këto pagesa nga Qeveria e Kosovës ashtu siç janë nënshkruese të kësaj kontrate”, ka sqaruar Aliu./Telegrafi/