Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se projekti i rëndësishëm “FIFA Arena”, një donacion i çmuar nga FIFA me synimin për të masovizuar futbollin dhe për të krijuar më shumë mundësi për fëmijët, ka nisur zbatimin në Komunën e Prishtinës.

Dy shkollat e para të përzgjedhura për të përfituar nga ky projekt janë “Gjergj Fishta” dhe “Hasan Prishtina” në kryeqytet.


Fushat e reja moderne do t’i shërbejnë jo vetëm nxënësve, por edhe komunitetit përreth, duke krijuar hapësira të reja cilësore për lojë, aktivitet fizik dhe zhvillim të talentit të ri.

Sipas Ademit, fushat janë donacion i FIFA-s, ndërsa instalimi i tyre po realizohet në bashkëpunim të plotë me Komunën e Prishtinës. E gjithë procedura e furnizimit dhe montimit po menaxhohet drejtpërdrejt nga FIFA. Njëra prej fushave tashmë është përfunduar, ndërsa tjetra pritet të jetë gati brenda kësaj jave.

“Në emër të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe komunitetit të futbollit, falënderoj sinqerisht FIFA-n për këtë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit në Kosovë”, ka deklaruar Ademi.

Projekti “FIFA Arena” do të shtrihet edhe në shtatë regjionet tjera të vendit, me synim krijimin e më shumë hapësirave ku fëmijët dhe komuniteti mund të luajnë futboll, të zhvillohen dhe të zbulojnë talentin e tyre.

Trajnerët e FFK-së do të jenë të pranishëm në këto fusha me qëllim identifikimin dhe orientimin e talenteve të rinj drejt klubeve dhe shkollave të futbollit.


Ky projekt është pjesë e strategjisë së FFK-së për masovizimin e futbollit dhe krijimin e kushteve sa më të mira për gjeneratat e reja.

“Bashkë për futbollin!”, ka përmbyllur Ademi. /Telegrafi/

telegrafi sport app