LAJMI I FUNDIT:

“Afera e Hidrocentraleve”, Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2 dhe dy të tjerëve

“Afera e Hidrocentraleve”, Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2 dhe dy të tjerëve
Foto: Ilustrim

 Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqaj, Dardan Gashi si dhe Fllanza Hoxhës e Arben Gjukës, të cilët akuzoheshin nga Prokuroria Speciale për korrupsion, në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”.

Ndryshe, më 8 nëntor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte liruar nga akuza të lartcekurit.

Kundër këtij aktgjykimi, kishte parashtruar ankesë prokurori nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Atdhe Dema.


“Prokurori i Prokurorisë Speciale në ankesë, thekson se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale në kuptim të dispozitave të lartshënuara, është i pakuptueshëm, kundërthënës dhe nuk përmban arsyet për faktet vendimtare, po ashtu aktgjykimi i ankimuar nuk përmban arsye të duhura për faktet vendimtare”, thuhet në vendimin e Apelit.

Andaj, Gjykata e Apelit më 27 mars 2023 ka refuzuar ankesën e PSRK-së, me arsyetimin se shkalla e parë nuk është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale.

“Aktgjykimi i gjykatës së shkallës se parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, edhe pse prokurori në ankesë nuk iu referohet specifikisht ndonjë dispozitë për shkelje esenciale në përmbajtjen e ankesës. Kolegji çmon se dispozitivi i aktgjykimit është i kuptueshëm, në të nuk ekzistojnë kundërthënie me vetveten e as me arsyet e tij, është i qartë dhe konkret”, thuhet në vendim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, sipas këtij vendimi është vlerësuar se pretendimet e prokurorit janë të paqëndrueshme, për faktin se organi akuzës nuk ka potencuar apo vërtetuar në mënyrë të duhur se cili akt ligjor apo nënligjor është shkelur.

“Në këtë kontekst organi akuzës ka bërë referenca të gabuara ligjore për arsye se Ligjin për Rregullatorin e Energjisë Elektrike, respektivisht nenin 35 paragrafi 4 të Ligjit Nr.05/L-084, nuk ka qenë në fuqi në kohën për të cilën prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë kryer veprën/veprat penale pasi që Ligji në fjalë është ligj i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2016, dhe se në kohën për të cilën akti akuzues i ngarkon të akuzuarit (viti 2013), pra ky ligj nuk ka qenë në fuqi, në fakt as që ka qenë i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Sipas Apelit, interpretimi i PSRK-së se vepra penale është kryer në mënyrë permanente dhe se ligjet, sikur ai që ka qenë në fuqi dhe ai i mëvonshëm kanë përmbajtje të njëjtë, meqenëse kanë rregulluar çështjen e posedimit të licencave është i pabazuar.

“Argumenti ankimor se prokuroria është thirrur në dy ligje pasi ka konsideruar se vepra penale është kryer në mënyrë permanente, dhe se këto dy ligje si ai që ka qenë në fuqi si ligji i mëvonshëm kanë përmbajtje të njëjtë, meqenëse kanë rregulluar çështjen e posedimit të licencave. Një interpretim të tillë Kolegji e konsideron si të pabazuar, për faktin se të akuzuarit akuzohen për veprimet të ndërmarra më 8 maj 2013, pasi me këtë datë kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: hidrocentrali “Lumbardhi”, hidrocentrali “Burim”, hidrocentrali 12 “Radavci” dhe hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “L – Ç”, thuhet më tej në vendim.

Sipas Apelit, veprimet e të gjithë të akuzuarve janë të përcaktuara dhe kornizuara në dimensionin kohor, mbi bazën e këtyre fakteve ligji i cili duhet të zbatohet është ligji i cili ka qenë i aplikueshëm dhe jo ligji i mëvonshëm i cili tek në vitin 2016 është dekretuar dhe është bërë i zbatueshëm, rrjedhimisht, në një situatë të tillë nuk mund të t’iu atribuohen detyra dhe përgjegjësi të akuzuarve që burojnë nga një ligj i cili nuk ishte në fuqi.

Ndryshe, në aktgjykimin lirues të rastit “Afera e Hidrocentraleve”, gjykata e shkallës së parë ka konstatuar se pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), nuk kanë qenë të faktuara dhe bazuara.

Shqyrtimi kryesor në rastin “Afera e Hidrocentraleve” kishte filluar më 1 korrik 2021, gjatë së cilës seancë të akuzuarit ishin deklaruar përsëri të pafajshëm për akuzat e PSRK-së.

Në maj të vitit 2021, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjukaj. Përmes një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të vitit 2021 ua kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjukaj.

Ndërsa, kjo gjykatë kishte pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitaku, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.

19 të akuzuarit për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 28 tetor 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj akuzohej se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtarë të KQP-së, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Të njëjtën ditë, vazhdon aktakuza, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyllur procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par. 4.

Sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi është 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.

Me këto veprime, PSRK i ngarkonte këta të akuzuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

PSRK e akuzonte edhe Fllanza Hoxhën, se në cilësinë e menaxheres në projektin e privatizimit e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, i ka tejkaluar kompetencat e saj ashtu që edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek kompania “Limak-Calik”, gjenden edhe hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike dhe duke qenë në njohuri se të njëjtat nuk duhet të privatizohen, nuk ka vepruar konform detyrave të veta.

Për më tepër, sipas aktakuzës, Hoxha ka dhënë pëlqimin që një veprim i tillë të ndodh, veprim me të cilin ka dëmtuar interesat e KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar, ashtu që vetëm si qira mujore vlera dëmit ka qenë 1,054.000.00 euro ndërsa dëm tjetër është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, dëm i cili vazhdon edhe më tutje të shkaktohet në mënyrë të përhershme.

Me këtë, Hoxha akuzohej se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo detyrës zyrtare.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohej edhe Arben Gjukaj, i cili sipas PSRK-së, duke vepruar në cilësi të drejtorit menaxhues të KEK-ut, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se katër hidrocentrale gjeneruese të energjisë elektrike nuk është dashur të privatizohen sepse ia ndalon baza ligjore, i njëjti as nuk ka ndaluar e as nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ato asete të ngelin në kuadër të KEK-ut.

PSRK akuzonte edhe Fadil Çitakun se në cilësi të kryesuesit të Bordit të KEK-ut, si dhe Mujë Rugovën, Agim Nikën, Flamur Keqën dhe Izet Ibrahimin në cilësi të anëtarëve të Bordit të KEK-ut, se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ashtu që edhe pse kanë qenë në njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen janë edhe katër hidrocentrale, që do duhej të mbeteshin në kuadër të KEK-ut, të njëjtit më 15 tetor 2012, kanë miratuar njëzëri që një veprim i tillë të ndodh duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar.

Për këtë arsye, të njëjtit akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Për lejimin e kalimit të katër hidrocentraleve në fjalë nga KEK tek kompania “Limak Calik”, në mënyrën të kundërligjshme sipas PSRK-së, akuzoheshin edhe ish-kryesuesi i Bordit të KKDFE-së, Gani Jashari si dhe anëtarët e Bordit të KKDFE-se, Burim Basha, Gelor Shala, Naim Hyseni dhe Avni Alidemaj.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi që edhe pse kanë pasur njohuri se hidrocentralet në fjalë është dashur të mbesin edhe më tutje në pronësi të KEK-ut, nuk kanë vepruar konform përgjegjësive të tyre si dhe kanë lejuar që transferimi të ndodh edhe pse e kanë pasur obligim të mbrojnë interesat e kompanisë së sapoformuar.

Prokuroria e akuzonte edhe Besnik Hazirin se në cilësinë e personit zyrtar, koordinator për shthurje të KEK-ut, me qëllim që t’i mundësojë çfarëdo përfitimi pasuror dhe t’i shkaktojë dëm personit tjetër, i ka tejkaluar kompetencat e veta, pasi që nga detyra që ka pasur për finalizim të aseteve dhe inventarit nga KEK në KKDFE, nuk i ka trajtuar hidrocentralet e dhëna me koncesion edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek “Limak-Calik”, gjenden edhe katër hidrocentralet në fjalë duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisës së Kosovë.

Me këtë, Haziri akuzohej se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, akuzohej edhe Krenar Bujupi, i cili sipas PSRK-së, si anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe i deleguar në Komitetin Qeveritar të Privatizimit i ka tejkaluar kompetencat e tij duke e pranuar marrëveshjen për transferim të aseteve mes palëve KEK, KKDFE dhe më pas tek “Limak-Calik”, si të ligjshme përkundër faktit se Ligji për ZRRE, neni 35, par4 e ka ndaluar një veprim të tillë.

Kësisoj, me këtë veprim të tij, Bujupi, akuzohej se ka keqpërdor pozitën e tij zyrtare, ashtu që sikurse edhe të akuzuarit tjerë, i kanë shkaktuar dëme që kapin shifrën e milionave, KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar të saj.

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Kalo në kategori