Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi sot një takim konsultativ me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Takimi u zhvillua në prag të përfundimit të afatit kushtetues, të përcaktuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, respektivisht deri më 26 korrik 2025.


Gjatë takimit, Osmani theksoi se “zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues” dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha subjekteve politike për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë dhe funksionale për konstituimin e Kuvendit.

“Të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve duhet të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, në interes të qytetarëve dhe të funksionimit demokratik të shtetit,” u shpreh presidentja Osmani.

Konsultimet me subjektet parlamentare pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, ndërsa sytë e opinionit publik mbeten të fokusuar te hapat konkretë për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. /Telegrafi/