Nëse bëjmë një retrospektivë në medien e tri dekadave të fundit, për të kërkuar mbi një figurë që përfaqëson elegancën e mendimit dhe rëndësinë e fjalës, jemi pa dyshim duke kërkuar për një emër, Adi Krasta

Wendy: “Elegance”

Me një karrierë shumë të gjatë dhe të rëndësishme, Krasta është moderatori, gazetari, opinion bërësi, showman-i më kompleks, interesant dhe i rëndësishëm që një vend i vogël si ky yni mund të kishte kërkuar.

Nuk do të ishte e tepërt të thonim se ai është gjithmonë i pari! Ai që theu tabutë në ’90-ën, që solli një qasje evropianiste në të bërit show, një qëndrim ishullor anglosakson në të bërit lajm, ai që e përdori timbrikën për t’i dhënë peshë fjalës në valët e transmetimit dhe sigurisht ai që tha gjithmonë atë që mendoi pa kompromise.

I lindur në gjeneratën “Baby Boomer”, Adi Krasta, me profesion inxhinier që prej vitit 1987 e deri sot, nuk është shkëputur kurrë nga radio, televizioni dhe media.

Kalimi i mijëvjeçarëve e gjeti në Londër në seksionin shqiptar të BBC ku punoi për 5 vite, për t’u rikthyer në vend me projekte të shumta ambicioze.

Rikthimet e Krastës janë gjithmonë të mirëpritura. Kësaj herë e shohim në ekranin e “News 24”, me një program që natyrshëm ai e nisi me një aksiomë biblike “E para ishte fjala” duke e konsideruar studion televizive si habitat të natyrshëm të fjalës së thënë me mençuri.

Aktualiteti, ngjarja, studio, të ftuarit, tensioni politik e social, ironia dhe humori i zi, lexohet në rreshtat e monologjeve dhe reflektimit të bisedës që i shkon të ftuarit deri në të ashtuquajturin rreth i hapësirës personale.

Në 2007-n Celentano, iu drejtua Italisë me këngën “La situazione non ë buona” (“Gjendja nuk është e mirë”), ju në programin tuaj keni një hapësirë reflektimi përmes monologjeve, si e lexoni ju situatën sot?

Jo vetëm sot, por gjatë gjithë viteve të mia në media, kam zgjedhur të kem një moment reflektimi personal për gjendjen në të cilën vendi ose individi ka qenë. Të mos reflektoj, më është dukur thjesht e pamundur. Në mënyrën më të natyrshme të mundshme kam thënë atë që mendoj, duke qenë i ndërgjegjshëm që nuk do i pëlqejë të gjithëve. Shqipëria është e palumtur, e pamundur, e pagojë dhe pothuaj e pashpresë.

Artisti dhe poeti amerikan Gil Scott-Heron në vitin 1970 do të publikonte këngën “The revolution will not be televised” (“Revolucioni nuk do të transmetohet”). Ju u rikthyet në ekranin e “News 24”, me një program që e përshkruani si një hapësirë për fjalën dhe për aktualitetin! “A”, është ky format një angazhim personal, ke një mision, beson ende tek televizioni si mjet për ndryshimin?

Televizioni nuk ka rezultuar si një mjet për ndryshimin e beftë. Nuk është një mjet revolucionar. Tanimë pas 30 vjetësh, më shumë më duket një mjet kundër – revolucionar. Ai sot nuk edukon dhe nuk zbavit. Ai thjesht bën zhurmë. Shpëtimi i vetëm i tij është se ndjehet i domosdoshëm ende. Kjo e bën bosh dhe arrogant.

E qëllimtë duket skenografia e me një kontrast të fortë mes dritës dhe errësirës. Qëndrimin përballë të ftuarit, në të njëjtën lartësi dhe distancë të vogël, duke krijuar një raport gati fizik, të bën të mendosh se jeni i vendosur të nxirrni sa më shumë të vërteta prej tyre! Pyetja ime është: çfarë keni zbuluar tek të ftuarit parë nga aq pranë, dhe, që ne nuk e shohim?

Ajo që vetëm ne e shohim, sidomos në mizanskenën që po aplikojmë tani, është njerëzorja, kur është madje vulnerabile. Të ftuarit, përtej moskokëçarjes, buzëqeshjes së padeshifrueshme ose padepërtueshmërisë, kanë kontraksione të një emocioni njerëzor dhe pasigurie të brendshme. Të pakapshme lehtësisht. Edhe kur janë të fuqishëm e arrogantë, ato çaste kanë një dridhje të padukshme njerëzore që i bën interesante.

Ju keni mbajtur qëndrime të hapura mbi shumë ngjarje dhe situata që përfshijnë drejtpërdrejt të përbashkëtën! Çfarë është publikja dhe cili është qëndrimi juaj për këtë koncept në terma fizik dhe si hapësirë intelektuale?

Shqipëria nuk ka patur kurrë një element të qëndrueshëm të publikes. Vendi ynë është një konglomerat i shformuar i individuales pa rregulla. Kam një ndjesi që në informacionin tonë gjenetik, të qenit i mundur përsëritet vazhdimisht.

Gjithmonë keni mbajtur një qëndrim kritik ndaj Radio Televizionit Publik Shqiptar. A i shërben Radio Televizioni Shqiptar publikes? Çfarë raporti mendoni se kanë qytetarët shqiptarë sot me RTSH-në?

Radio Televizioni Shqiptar është një plagë pamundësisht e shërueshme. Një trishtim i fjetur i një dashurie të madhe të jetës sonë. Ai nuk ekziston, ndaj dhe nuk mundet të shërbejë. Tanimë është një karakatinë me 100 zyra dhe një pseudostudio. Është duke kaluar rrethin e fundit të Dantes. Është i mundur dhe për këtë shkak, fajtor. Si një justifikim i vetëm i kësaj që ndodh, RTSH ka kuptuar se tanimë nuk e dashuron njeri dhe as nuk çan kokën njeri për jetën ose vdekjen e tij.

Si profesor i komunikimit, si e keni lexuar artikulimin që i bëjnë studentët protestës?

Studentët bënë një protestë të hatashme. Por ata iu trembën vetë forcës, që çuditshëm patën gjatë ditëve të para. U shqetësuan kur kuptuan se mund të kërkonin as më pak, por direkt rënien e “Rilindjes” si qeverisje e mentalitet. Ata artikuluan dhe ndjenë se 8 pika ishin të pranueshme, ose më saktë të tolerueshme nga pjesa tjetër e popullsisë, e cila në një gjumë me doza të mëdha barbiturikesh propagandistike, nuk ia ka ngenë disa lojërave të një grupimi rinor që i përket trungut të vet e që e gjen veten të palumtur dhe të pashpresë për të ardhmen. Është rasti kur një protestë stonon me gjendjen e përgjithshme të përgjumur ose të goditur të popullit të vet. Si e tillë bashkë me entuziazmin tek vetë protestuesit ajo sjell pashmangshëm edhe konfuzionin.

Gjatë verës së vitit të shkuar ju bashkuat kauzës së aktorëve dhe qytetarëve të Tiranës, të cilët refuzojnë prishjen e “Teatrit Kombëtar”. Ju thatë se kjo ngjarje do të dëmtojë edhe një herë memorien e këtij qytetit, që nuk është bërë më i bukur për t’u parë, madje ju shtoni, këtu citoj: “Tirana është një qytet ku vetëm hahet bukë, flihet gjumë dhe nuk ndodh asnjë gjë tjetër”. Sot, kur shumë shkrime dhe disa portale thonë se studio e arkitekturës që kishte projektuar teatrin e ri është tërhequr, si e shihni ju të ardhmen e tij?

Studio e arkitekturës do të duhej të tërhiqej patjetër. Arkitekti duhet të pranojë se teatri dhe vjedhja e territorit të Kompleksit `Scanderbeg’ mund t’i kthehet dhe ta tmerrojë “curriculum vitae-n” e tij në të ardhmen e afërt. Prishja e Teatrit është një gërshetim fatal i obsesionit shkatërrues ndaj ndërtesës dhe interesit për të larë paratë në ndërtimin e kullave famëkeqe që do ta shoqëronin. Kaq e thjeshtë ka qenë që në fillim, fatkeqësisht!

Duket se jeni tifoz i medieve tradicionale, e them këtë, sepse në mediet sociale hytë tepër vonë. Kjo ide mu përforcua nuk i përgjigjeni thuajse fare komenteve të ndjekësve. Çfarë raporti keni me rrjetet sociale dhe platformat online?

Nuk pendohem që i kam quajtur rrjete terroristike. Nuk kam ndryshuar mendim. Është konkluduar kështu edhe nga të gjithë studiuesit e fushës. Si një realitet paralel me jetën tonë ky domen do jetë plot surpriza të këqija për sa kohë mbetet i parregulluar me ligje e procedura. Por çka ndodhur, është edhe e pakthyeshme. Ne të gjithë duhet të përshtatemi pa u bërë robër të matrix-it të jetës.

Kthehemi sërish tek ekrani, në një intervistë të para disa kohëve tregoni rreth një programi të dytë që do të merret me “Fake News”, për çfarë bëhet fjalë?

Është një ide që i ka tmerruar çuditërisht të gjithë ata që e kanë dëgjuar nga unë. Të mendosh që është një program “fiction”. Ndodh kështu, për zhgënjimin tim të përsëritur, sepse ne jetojmë në mbretërinë e sipërfaqes. Analiza dhe hetimi na tremb e na tmerron. Faktet nuk na duken më të mjaftueshme dhe vlerat e përcaktuara të moralit njerëzor provokojnë të qeshura. Është një realitet që pak e kanë parashikuar. Daljen nga diktatura e morëm si një e drejtë pa detyra e përgjegjësi. Socializmi na shformoi karakterialisht. Kapitalizmi na gjeti të papërgatitur.

A mundoheni ju që me mënyrën e të bërit televizion, të përzgjidhni shikuesin tuaj?

Po. Por konstatoj se ky po kthehet në një mision të pamundur. Shikuesi që do të duhej të ishte i imi, është dorëzuar. Ose po pëson një metamorfozë për shkak të ambientit. Kur je pak, ose vetëm, të shuhen pikat e referencës. Ai/ajo në fillim pa “Sulltanin e Madhërishëm” duke u justifikuar se ishte prodhim historik, pastaj pa vetëm dy herë “Gjyqin” se i vinte për të qarë dhe i pëlqente ndjesia, pastaj pa një program për të qeshur, sepse ndodhnin gjëra të çmendura, pastaj, harroi se çfarë kishte qenë dhe çfarë saktësisht pritej prej tij/saj. Kjo që ka ndodhur nuk më bën të hidhur dhe meskin, por padyshim

Sa e vërtetë është nga 1 tek 10, se bashkëshortja juaj, Brikena, është personi i vetëm që ju bën “zap” dhe a jeni ju nga ato çifte që keni gjetur sekretin për t’u dashur përgjithmonë?

Brikena është dashuria e vetme e jetës sime. Në këtë jetë të gjatë kam dashuruar vetëm një herë. Ndaj, edhe pse është e butë dhe e qetë, duke qenë tejet inteligjente dhe shumë e përgatitur, i ka gjetur gjithmonë me mençuri mjetet dhe argumentet që të ketë vëmendjen time të plotë. Ajo ndikon, sepse nuk e ka qëllim të dominojë. Këtë e kam çmuar gjithnjë.

Nuk para flisni për familjen tuaj, por dua t’ju pyes për Lean dhe Francin, si jeni ju në raport me ta, një baba i rreptë apo një mik i mirë? A të surprizojnë shpesh, a janë ata kritikë të Adi Krastës si gazetar?

Krastat janë të çiltër dhe të drejtpërdrejtë. Në rrugë e sipër qëllojnë të bëjnë gabime. Ne jemi familje që flasim. Duke qenë të gjithë të orientuar drejt komunikimit, e çmojmë këtë të fundit si armë të fortë dhe si shtyllë të profilit familjar.

Në këto 30 vite të karrierës suaj, mund të na thoni sot se nëse do të ishit përpara pyetjes: “Çfarë do të zgjidhnit të bënit në ekran, spektakël apo aktualitet”, në cilën rrugë do të shkonit pa u menduar dy herë?

Kur je shumë i ri, të ndihmon spektakli se është gjini popullore. Pavarësisht nga preferencat e publikut, prezentatori pranohet nga të gjithë. Por, vjen një ditë dhe në procesin individual të plotësimit, vetë spektakli (shumë formë, pak përmbajtje, aspak pozicionim) të duket i pamjaftueshëm. Aktualiteti të ëmbëlson me grupimin me të cilin ke mendime të njëjta dhe armiqëson me grupimin me të cilin ke pikëpamje të ndryshme. Por kjo ndodh përkohësisht dhe në mënyre ciklike. Tek unë nuk ka ndikuar kurrë për të me kthyer në shërbëtor të njërës palë. E konsideroj pjesë fondamentale të asaj që përfaqësoj.

Në momentin që fiken kamerat, çfarë ndjeni se duhet të bëni?

Qeshim shpesh për këtë me mikeshën time Vera Grabockën, sepse kur fiken kamerat e bashkë me to dritat e projektorëve, vetëm dy njerëz janë zhdukur për t’u gjetur vetëm të nesërmen, ajo dhe unë.

Le të flasim pak për modën, duket se ju e keni identifikuar pamjen tuaj në publik, por përtej ekranit sa e ndiqni modën, dhe si e kuroni imazhin tuaj?

Nuk kam ditur të vishem kurrë. Nuk i kam kushtuar vëmendje kurrë. Nuk kam patur model flokësh dhe mendoj se po të mos punoja në televizion nuk do kisha rënë asnjëherë dhe në asnjë rrethanë në sy.

Në Instagram ju kemi parë duke kënduar këngën tuaj të preferuar, ju vini nga radio dhe duhet thënë se kjo e fundit t’i kultivon shumë shijet muzikore. Çfarë rryme dëgjoni dhe cilën konsideroni si periudhën e artë të muzikës?

Radio më ka bërë ky që jam. Më ka mësuar të artikuloj, të mendoj ose të hesht (rrallë), qesh. Unë pëlqej muzikën e bukur. Melodinë. Nuk di ta komplikoj. Rrymat dhe zhanret nuk më kanë burgosur.

Kam mësuar se një nga aktivitetet që ju bëni me më shumë kënaqësi është të shtroni dreka për miqtë tuaj. A jeni i pasionuar pas kuzhinës dhe cila është receta juaj më e fortë?

Në fillim nuk e dinim që ishte kaq bukur. Na u desh ta kuptonim kur filluam jetën si familje e vogël, në Londër. Kam idenë që nuk ka qenë as ekzibicionizmi i gatimit, i shtrimit të tryezës ose i ngrënies që na ka tërhequr më shumë, sesa të jesh me miq të mirë e të vërtetë që të duan pa të gjykuar. Të presim miq në shtëpi na duket si e udhës.

Ju jeni një “brandy lover” apo një “wine lover”?

Asnjëra nga të dyja. Unë jam një “Prosecco lover” dhe nuk më vjen turp për këtë. Është si të pëlqesh ABBA-t kur të gjithë pëlqejnë Beatles dhe pëlqen Leicester kur të gjithë çmenden për Manchester United…

Sa e ndiqni jetën artistike dhe kulturore të Tiranës? Cili është raporti që keni me artet?

Jam i ndjeshëm, por i tërhequr. Gjithçka të bukur realisht, e shoh.

Po marrëdhënia me sportet, a jeni një njeri sportiv, a keni një sport të preferuar dhe një skuadër për të cilën bëni tifo?

Kam bërë në vitin 2003 një rupturë të meniskut të gjurit dhe nuk luaj më futboll. Më vjen keq për këtë. Tani futbollin e pëlqej, sepse e pëlqen im bir që është me Chelsean. Nuk më ka pëlqyer kurrë atletika dhe boksi. Jo basketbolli, po volejbolli. Me një fjalë, ashtu kështu.

Sot, pas 30 vitesh eksperiencë, cili është programi/spektakli që mbetet ende një ëndërr në sirtar?

Kam katër sirtarë dhe gjashtë ëndrra…