AC Milani është ndarë në një barazim në shtëpi nga Sassuolo, në sfidën ku u shënuan katër gola shumë të bukur.

“Rossonerët” ishin më dominues në periudhën më të madhe të kohës, por që epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 2-2.


Sassuolo kaloi në epërsi shumë herët, kur Ismaël Koné (12’) përfitoi nga një top brenda zonës dhe me shumë qetësi e ngriti bukur mbi Mike Maignan, duke e dërguar topin në rrjetë për rezultatin 0:1.

Milani reagoi shpejt dhe ishte pranë barazimit me Adrien Rabiot, i cili u përball një kundër një me portierin, por Arijanet Muric bëri një pritje spektakolare, duke ndalur goditjen e tij nga afërsia.

Barazimi megjithatë nuk vonoi. Davide Bartesaghi (33’) përfitoi nga një asist i saktë i Ruben Loftus-Cheek brenda zonës dhe me një finalizim të bukur në këndin e poshtëm të djathtë shënoi për 1:1.

I njëjti lojtar ishte sërish protagonist, kur pas një pasimi vendimtar doli ballë për ballë me portierin dhe realizoi edhe golin e dytë personal.

Sassuolo nuk u dorëzua dhe kërkoi me ngulm barazimin. Sebastian Walukieëicz provoi nga brenda zonës me një goditje të matur në këndin e poshtëm të djathtë, por Mike Maignan reagoi shkëlqyeshëm dhe e mbajti Milanin në avantazh.

Në anën tjetër, Adrien Rabiot (75’) arriti ta dërgonte topin në rrjetë, por gëzimi i tij u shua shpejt, pasi asistenti ngriti flamurin për pozicion jashtë loje.

Momenti vendimtar erdhi në minutat e fundit, kur Armand Lauriente (82’) u gjet i lirë brenda zonës pas një pasimi perfekt dhe me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të djathtë realizoi një gol klinik, duke rikthyer baraspeshën dhe duke vulosur një mbrëmje dramatike.

Milani kësisoj vazhdon si lider në Serie A me 32 pikë, derisa Sassuolo zë pozitën e nëntë me 21 sosh./Telegrafi/

telegrafi sport app