Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dorëheqjes së Hykmete Bajramit nga pozita e nënkryetares së partisë, duke ripërseritur deklarimin e së mërkurës se ka ofruar dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit.

Abdixhiku tha se vendimi nuk pasqyron opinionin e tij personal, por është rezultat i një debati pesë orësh me pjesëtarët e partisë, ku janë diskutuar çdo kritikë, shqetësim dhe mendim.


“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së,” tha ai.

Kryetari i LDK-së theksoi se nuk është i lidhur pas pozitës, por pas “shtëpisë” së partisë, dhe bëri thirrje që debati dhe vendimmarrja të zhvillohen hapur në Kuvend, duke respektuar institucionet dhe demokracinë e brendshme të partisë.

“Sepse mbi çdo emër është LDK. Dhe kështu na takon të gjithëve,” përfundoi Abdixhiku.

Ndërkaq sot, Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëkohësisht ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

Në një deklaratë publike, Bajrami tha se ky veprim bazohet në standardin politik të LDK-së, sipas të cilit ata që marrin rezultate të rënda zgjedhore duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të hapin rrugë për zgjedhje të brendshme të partisë.

Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja ka siguruar vetëm 13.23 për qind të votave, 5 pikë të përqindjes më pak se në zgjedhjet e shkurtit të 2025-s./Telegrafi.