Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiki ka thënë sot se integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim vetëm atëherë kur Serbia e njeh shtetin e Kosovës.

Reagimi i Abdixhikut vjen një ditë pasi në Shkup u mbajt Forumi Ekonomik, ku u diskutua për Mini-Shengenin, ku nga dje quhet ‘Open Balkan”.


Në këtë forum pjesëmarrës ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë, Zoran Zaev si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk ishin pjesë e takimit.

Lexoni të plotë qëndrimin e Abdixhikut dhe LDK-së mbi ‘Open Balkan’:

Integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim vetëm atëherë kur paraprihet nga një njohje politike - secili ndaj secilit. Serbia nuk e njeh Kosovën. Prandaj kufijtë marrin edhe më shumë kuptim. Ato bëhen vetvetiu më të fortë. Prandaj dhe si heqim dot as si ‘Mini Schengen’ e as si ‘Open Balkan’.

Njohja para bashkëpunimit pa kufij!

Ky është qëndrimi im dhe i LDK-së.

‘Open Balkan’ para se të jetë projekt ekonomik është megjithatë projekt politik. Përfitimet ekonomike, bëhen të parëndësishme përballë mohimit politik serb - dhe këtë duhet ta kuptojë secili i përfshirë, sidomos kolegët tanë në Shqipëri.

Qeveria e Kosovës duhet të flasë gjithsesi me Shqipërinë e Qeverinë shqiptare atje. Tensionimi i pakuptimtë i relacioneve tona - kryesisht për shkak të interferimeve të pamatura elektorale në këtë fillimvit nga Kryeministri ynë - ka bërë që për herë të parë në historinë 30-të e sa vjeçare, rrugët tona përballë Serbisë të jenë të ndara. Dhe kjo në vete është fatkeqësi. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një mendim e një qëndrim.

Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale. Por vetëm si palë e barabartë - shtet sovran, e njohur nga të gjithë, njohëse e të gjithëve. Deri atëherë çdo nismë tjetër është e dëmshme për interesat nacionale tona dhe të shqiptarëve në rajon”. /Telegrafi/