Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ish-gjeneralin e NATO-s Wesley Clark, me ç’rast i ka ndarë edhe dekoratën ‘Ibrahim Rugova’, për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës.

I pari i kësaj partie tha se kontributi i Clark është një gurthemel në historinë tonë, transmeton Telegrafi.


‘’Prania juaj sot këtu është një dëshmi e thellë e lidhjeve të qëndrueshme të miqësisë dhe solidaritetit që keni përfaqësuar përmes shërbimit tuaj të jashtëzakonshëm dhe mbështetjes themelore për popullin e Kosovës. Gjeneral Clark, emri juaj është i gdhendur në themelet e historisë së Kosovës si simbol i guximit, lidershipit dhe i një përkushtimi të palëkundur për drejtësi dhe paqe’’, tha Abdixhiku.

LDK2

Abdixhiku tha se gjatë orëve më të errëta të luftës sonë për liri, vendosmëria dhe veprimet veprimtare të gjeneralit Clark i dhanë shpresë dhe forcë një kombi të etur për liri.

‘’Udhëheqja juaj gjatë ndërhyrjes së NATO-s ishte një pikë kthese që jo vetëm ndryshoi rrjedhën e historisë sonë, por edhe siguroi mbijetesën dhe të ardhmen e jetëve të panumërta - të njerëzve tanë!’’, deklaroi Abdixhiku.

‘’Gjeneral Clark, kjo dekoratë jo vetëm që simbolizon vlerësimin tonë të thellë, por edhe njohjen tonë për vlerat që ju përfaqësoni – vlera që përputhen ngushtë me vizionin e udhëheqësit tonë të nderuar, Dr. Ibrahim Rugova’’, përfundoi Abdixhiku./Telegrafi/