Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK, Lumir Abdixhiku ka kujtuar me nderim veprimtarin dhe politikanin Agim Kikaj, në tetëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Përmes një deklarate publike, Abdixhiku e ka përshkruar Kikajn si një figurë të shquar të angazhimit politik dhe një ndër kontribuesit më të mëdhenj të LDK-së në kohë sfidash për vendin.


“Sot kujtojmë me nderim Agim Kikajn, një figurë të dalluar të angazhimit politik, një veprimtar të paepur të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe mbi të gjitha, një njeri të ndershëm që i dha vendit gjithçka që kishte,” u shpreh Abdixhiku.

Ai theksoi se Kikaj nuk e pa politikën si privilegj, por si një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve dhe vendit. Gjatë jetës së tij politike, Agim Kikaj ka shërbyer si kryetar i Komunës së Podujevës dhe si deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku, sipas Abdixhikut, kontribuoi me vizion, integritet dhe dashuri për vendin.

“Agimi ishte më shumë se një politikan; ai ishte një veprimtar i devotshëm, një udhëheqës i përkushtuar dhe një njeri i thjeshtë që besonte thellësisht në vlerat e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë,” tha Abdixhiku.

Vdekja e papritur e Kikajt më 18 maj 2017, e cilësuar si një tronditje e thellë për familjen, LDK-në dhe gjithë Kosovën, la pas një trashëgimi të çmuar, që Abdixhiku tha se vazhdon të jetojë në rrugëtimin e Kosovës drejt shtetndërtimit dhe forcimit të institucioneve.

“Trashëgimia e Agim Kikajt është e gjallë në çdo hap të rrugëtimit të Kosovës drejt konsolidimit të demokracisë. Ai është shembull i brezave të rinj, që mësojnë se si i shërbehet vendit me nder, përulësi dhe dashuri për atdheun,” përfundoi kreu i LDK-së.

Agim Kikaj vdiq në moshën 54-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të pasur politike dhe një emër të respektuar në jetën publike të Kosovës./Telegrafi/