Gjatë konferencës së djeshme (16 gusht) për shtyp me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidenti palestinez, Mahmoud Abbas deklaroi se Izraeli ka kryer, siç tha ai, 50 holokauste.

I pari i qeverisë gjermane nuk reagoi në atë kohë, por sot ai e dënoi këtë deklaratë.

Konferenca për shtyp ishte pas takimit të dy zyrtarëve në Gjermani. Një nga gazetarët i kërkoi Abbasit të kërkonte falje për vrasjen e 11 atletëve izraelitë gjatë Lojërave Olimpike Verore të vitit 1972 në Munich, e cila u krye nga një grup palestinezësh.

“Nëse doni të ktheheni në kohë, shkoni përpara. Izraeli është përgjegjës për 50 masakra, 50 holokauste”, tha Abbas.

Reklama

Nga shprehja e fytyrës së kancelarit gjerman dukej se kjo deklaratë nuk ishte e pranueshme për të, por në atë moment ai nuk reagoi. Ai e dënoi sot këtë deklaratë të të parit të palestinezëve.

Reklama

“Jam thellësisht i indinjuar nga deklaratat e presidentit palestinez, Mahmud Abbas. Për ne gjermanët, çdo relativizim i Holokaustit është i papranueshëm dhe i patolerueshëm. Dënoj çdo përpjekje për të mohuar Holokaustin”, theksoi Scholz.

Përveç kësaj, ai nuk e pranoi deklaratën e Abassit se marrëdhënia mes Izraelit dhe Palestinës është aparteid.

Edhe kryeministri izraelit, Yair Lapid dënoi deklaratën e presidentit palestinez. /Telegrafi/