Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zyrtarizuar të gjithë kandidatuarat për komuna për zgjedhjet e 12 tetorit.

AAK ka nominuar Bashkim Budakovën për kryetar të Lipjanit.


Nominimi i tij vjen pasi ditë më parë Ilir Tasholli është tërhequr nga gara për kryetar të kësaj komune, transmeton Telegrafi.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se Budakova është profesionist me përvojë të gjatë në arsim.

"Aleanca ka nominuar Bashkim Budakova si kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit, një profesionist me përvojë të gjatë në arsim dhe përfaqësues i dëshmuar i qytetarëve në Kuvendin Komunal. Bashkimi njihet si njeri me integritet të lartë, i afërt me komunitetin dhe i palëkundur në mbrojtjen e interesit publik. Ai përfaqëson modelin e udhëheqësit të përkushtuar, me vizion të qartë për zhvillimin e Lipjanit dhe me gatishmëri për të ndërtuar një qeverisje të ndershme dhe përgjegjëse", ka theksuar ai.

Gjithashtu, AAK ka nominuar edhe Ramë Bislimin për komunën e Shtimes.

"Në Shtime, kandidati i Aleancës është Ramë Bislimi, një figurë e respektuar nga qytetarët, i njohur për maturi, ndershmëri dhe lidership të natyrshëm. Ramë Bislimi gëzon besimin e komunitetit dhe sjell me vete një përvojë të pasur dhe një përkushtim të palëkundur për zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe qeverisje transparente. Ai është garanci për një Shtime më të mirë, më të drejtë dhe më të organizuar", theksoi ai.

Ai shtoi tutje se "Me këto dy kandidatura të fuqishme, Aleanca përmbyll nominimet në komuna, duke dëshmuar edhe njëherë vlerat që e udhëheqin; ndershmërinë, profesionalizmin dhe besimin në qytetarin"./Telegrafi/