AAK mbështet Arsim Ademin e Vetëvendosjes në balotazhin e Vitisë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të komunës së Vitisë, Arsim Ademi, do të ketë mbështetjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në rundin e balotazhit të së dielës.
Marrëveshja është nënshkruar mëngjesin e sotëm ndërmjet degëve lokale të dy partive.
Lajmin e ka konfirmuar kandidati i AAK-së në Viti, Labinot Bislimi - përmes një njoftimi në Facebook.

Ai ka theksuar se vendimi është rezultat i konsultimeve ndërmjet dy degëve, përafrimit të vlerave dhe programeve, si dhe vendimit brenda strukturave të partisë së tij.
“Ky koalicion është rrjedhojë e natyrshme e situatës dhe pozicionimit tonë ndaj sfidave në komunën e Vitisë. Ai shpreh guximin tonë për të qenë pjesë e proceseve politike dhe për të mbështetur vlerat, idetë dhe projektet e nevojshme për qytetarët”, ka shkruar Bislimi.
Në balotazh, Ademi do të përballet me kryetarin aktual dhe kandidat i LDK-së, Sokol Haliti. /Telegrafi/

















































