Liverpooli siguroi një fitore të rëndësishme 1-0 kundër Interit në fazën e ligës të Ligës së Kampionëve, por pas ndeshjes vëmendja nuk ishte vetëm te rezultati.

Një nga temat kryesore të ditëve të fundit mbetet situata e Mohamed Salahut dhe raportet e tij me trajnerin Arne Slot.


Sulmuesi egjiptian është lënë disa herë në stol kohët e fundit dhe në një intervistë për mediat britanike u shpreh i pakënaqur me minutat që po merr nën drejtimin e Slotit. Kjo ka ngritur pikëpyetje rreth të ardhmes së tij te Liverpooli, veçanërisht me afrimin e Kupës së Kombeve të Afrikës.

Pas ndeshjes, kapiteni Virgil van Dijk u pyet nëse Mo Salah duhet t’i kërkojë falje trajnerit. Holandezi shmangu dhënien e një gjykimi personal, por theksoi se atmosfera në ekip mbetet e pandryshuar dhe se përgjegjësitë brenda klubit janë të qarta.

“Nuk mendoj se jam personi i duhur për të thënë nëse dikush duhet të kërkojë falje për diçka. Mendoj se ai thjesht i ka shprehur ndjenjat e tij në ditët e fundit dhe kjo është diçka me të cilën klubi duhet të merret, dhe padyshim edhe ne".

"Por nëse e shoh dhomën e zhveshjes të nesërmen, nuk mendoj se ka ndryshuar asgjë. Ideja ishte që ne kemi një përgjegjësi, jo vetëm ndaj vetes, por ndaj të gjithë klubit dhe të gjithë tifozëve në botë për të performuar mirë. Pra, fokusi ishte aty, asgjë tjetër. Asgjë nuk ka ndryshuar. Dhe ai u stërvit gjithashtu".

"Realiteti është gjithashtu se Mo do të shkojë në Afrikë në fund të javës. E njoh Mon prej kaq kohësh, jemi miq të mirë. Kemi kaluar kohë të mira dhe të këqija së bashku. Ai ka qenë një pjesë e madhe e suksesit që kemi pasur në klub dhe unë kam qenë një pjesë e madhe e suksesit të tij. Ne të gjithë jemi pjesë e suksesit të Liverpoolit. Ne flasim, por këto gjëra do të mbeten mes nesh, siç është normale".

"Ne, si ekip dhe si lojtarë, duhet të përgatitemi dhe të jemi gati për zhurmën nga jashtë. Kjo është e vetmja gjë për të cilën duhet të jemi të përgatitur. Kjo është e vetmja gjë që do t’i inkurajoja lojtarët të bënin”, deklaroi Salah. /Telegrafi/

telegrafi sport app