Diplomati britanik John Duncan gjatë dëshmisë së tij në Hagë deklaroi se nuk ka parë asnjë provë që Hashim Thaçi ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

“Nuk kam parë asnjë dëshmi apo provë për këtë,” tha ai.


Ai sqaroi se një komandant i përgjithshëm në një ushtri të rregullt ka të drejtë të “lëshojë urdhra” dhe “të sigurojë zbatimin e tyre”, gjë që sipas tij nuk përputhej me rolin e Thaçit.

Duncan theksoi se gjatë takimeve me përfaqësues të UÇK-së, Thaçi shihej si “përfaqësues politik, jo si figurë ushtarake”.

Ai shtoi se respekti i ushtarakëve i drejtohej gjeneral Çekut, i cili kishte përvojë profesionale si oficer dhe përfaqësonte krahun ushtarak të UÇK-së.

Sipas Duncan, në takime kishte “tension politik” kur merrte pjesë Thaçi, për shkak të natyrës së tij si figurë politike, jo ushtarake.

“Thaçi nuk jepte urdhra ushtarake”, tha dëshmitari, duke theksuar se nuk ka parë ndonjë akt të tillë gjatë gjithë kohës.

I pyetur përse Thaçit i ishte dhënë titulli “kryekomandant” në Marrëveshjen e demilitarizimit të UÇK-së, Duncan tha se ishte titull i zmadhuar që nuk përkonte me realitetin.

“Kjo ndodh shpesh në lëvizje guerile,” shpjegoi ai, duke e krahasuar me përvoja të tij nga Afrika dhe Franca, ku liderëve u jepen tituj simbolikë që nuk pasqyrojnë strukturë reale ushtarake.

Duncan tha se fillimisht ishte planifikuar që marrëveshjen ta nënshkruante Agim Çeku, por më vonë u vendos emri i Thaçit, me kërkesë të vetë UÇK-së.

“UÇK-ja propozoi që ta nënshkruante Thaçi,” tha ai, duke shtuar se nuk patën kundërshtime, pasi e rëndësishme ishte përfshirja e plotë e palës kosovare.

Duncan përfundoi se Thaçi nuk mund të nënshkruante si “kryeministër i Qeverisë së Përkohshme”, pasi kjo do të nënkuptonte njohje zyrtare të saj – diçka që komuniteti ndërkombëtar nuk ishte gati ta bënte në atë kohë.

Aktualisht seanca nodhet në pauzë, pasi që më parë kishin kaluar në seancë private (të mbyllur për publikun). /Telegrafi/