Një javë pa Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës ka sjellë skena dhe emocione të veçanta në kupat kombëtare të disa vendeve evropiane.

Në Gjermani, DFB-Pokal ka hyrë në fazën e 1/16-ve, dhe krahas gjigantëve tradicionalë si Bayern Munich, Borussia Dortmund dhe Bayer Leverkusen, vëmendjen më të madhe e ka marrë Hertha Berlin.


Kryeqytetasit shënuan një fitore bindëse 6-1 ndaj Kaiserslauternit, por një ngjarje e veçantë doli në pah: goli i shënuar nga 16-vjeçari Kennet Eichhorn, i lindur në vitin 2009, i cili jetoi një natë të paharrueshme, shkruan Calciomercato.

Një mesfushor i ri me profil mbrojtës që po shpërthen para kohe

Eichhorn shënoi golin e tij të parë si profesionist, edhe pse roli i tij natyral në fushë është mesfushor mbrojtës – shumë larg portës kundërshtare. Në skemën 4-2-3-1 të Herthës, ai luan si një nga dy mesfushorët qendrorë para mbrojtjes. Edhe pse vetëm 16 vjeç, trajneri Stean Leitl i ka besuar vazhdimisht, dhe ai tashmë ka mbi dhjetë paraqitje këtë sezon, shumicën si titullar.

Goli në Kupën e Gjermanisë ishte i treti në karrierën e tij, pasi më herët ka realizuar edhe për ekipet U17 dhe U19 të Herthës. Mediat gjermane tashmë e po e krahasojnë me Toni Kroosin, jo vetëm për stilin e lojës, por edhe për sigurinë në kontroll, driblim dhe qetësinë me topin, cilësi që rrallë shihen në një lojtar kaq të ri.

Klubet e mëdha evropiane tashmë janë vënë në ndjekje

Pas rënies nga Bundesliga sezonin e kaluar, Hertha po kërkon të kthehet fuqishëm në elitë dhe Eichhorn po shihet si një nga shtyllat e projektit të ri.

Në gusht, ai u bë debutuesi më i ri në historinë e Bundesliga 2 – vetëm 16 vjeç e 14 ditë – pak ditë pasi firmosi kontratën e tij të parë profesionale.

Rritja e shpejtë dhe talenti i jashtëzakonshëm i tij nuk kanë kaluar pa u vënë re. “Djemtë e mëdhenj” të Evropës, nga PSG te Bayern Munich e Borussia Dortmund, e deri te Barcelona, Manchester United dhe Real Madrid, tashmë e kanë përfshirë në raportet e tyre të skautëve.

Për më tepër, vlera e tij e tregut vlerësohet të ketë arritur rreth 20 milionë euro – shifër mbresëlënëse për një lojtar 16-vjeçar.

Hertha ka në dorë një diamant të ri, dhe paraqitja e tij në DFB-Pokal është vetëm paralajmërimi i asaj që mund të vijë në të ardhmen. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

telegrafi sport app