A duhet të ulet TVSH-ja për naftën, çfarë thonë njohësit e ekonomisë?

Rritja e çmimit të naftës ka rikthyer sërish në vëmendje ndikimin e drejtpërdrejtë që kanë zhvillimet globale në ekonominë vendore.
Kjo rritje lidhet kryesisht me tensionet në Lindjen e Mesme, duke reflektuar menjëherë edhe në Kosovë.
Kjo situatë jo vetëm që rëndon buxhetin familjar, por gjithashtu hap diskutime mbi varësinë nga importi dhe nevojën për politika më të qëndrueshme në të ardhmen.
E lidhur me politikat që duhet të ndiqen për përballimin më të lehtë të situatës së shkaktuar nga tensionet në Lindjen e Mesme kanë shkruar njohës të ekonomisë.
Njohësi i ekonomisë, Berat Rukiqi, njëherësh anëtarë i Lidhjes Demokratike të Kosovës në një postim në Facebook shkruan se me një vendim, çmimi i naftës do të binte në 1,35 euro
“A e dini sa do të ulej çmimi i naftës dhe benzinës me një vendim?
Sot paguajmë rreth 1.70 €/litër
Po nëse:
- TVSH ulet nga 18% → 8%
- Akciza përgjysmohet
Çfarë fiton qytetari?
Nga TVSH → kursen 17 cent/litër
Nga akciza → kursen 17.5 cent/litër
Totali: 35 cent më lirë për çdo litër!
Çmimi i ri: 1.70 € → 1.35 €/litër”, shkruan Rukiqi.
Por, me këtë nuk pajtohet ekonomisti Florin Aliu.
Ai thekson se ulja e TVSH-së nuk garanton uljen e çmimit në momentin që jemi në konkurrencë të lirë.
“Po e shoh që po propozohet ulja e TVSH-së për naftën si mundësi për uljen e çmimit. Plotësisht e pasaktë, sepse ulja e TVSH-së nuk garanton uljen e çmimit në momentin që jemi në konkurrencë të lirë.
Në vitin 2016 është ulur TVSH-ja për produktet bazë nga 16% në 8% (pra për 8 pikë përqindje apo 50%) dhe efekti në çmim ka qenë nul. Pra, një politikë që ka pas me shku te qytetarët, ka shku te marketet ushqimore.
E njëjta do të vlente edhe nëse TVSH-ja ulet për çmimin e naftës, pasi e gjithë ulja do të shkonte te kompanitë e naftës. E vetmja zgjidhje nëse donë me ulë çmimin është me intervenu drejtpërdrejt në çmimin e shitjes”, shkruan ai.
Por, a është e mundshme me u kontrollu çmimi?
“Patjetër që po, ashtu sikurse çmimi kontrollohet në tregun e energjisë përmes rregullatorëve. Pra, përcaktohen marzhat e fitimit, pra diferenca ndërmjet çmimit të blerjes dhe shitjes.
Pyetja fundamentale është: a ka nevojë të rregullohet çmimi i naftës? Unë mendoj që jo. Pse? E para sepse për mua nafta nuk hyn te produktet bazë të nevojshme. Unë mendoj që është produkt luksi në momentet që ekzistojnë forma alternative të udhëtimit. E dyta, kontrollimi i këtyre çmimeve është shumë i vështirë, pasi kostot e furnizimit (çmimi në bursë i naftës) variojnë vazhdimisht dhe kërkon angazhim shumë të madh për përcjelljen e tij.
Në fund, a ka nevojë me intervenu në një treg që i nënshtrohet pothuajse tregut të lirë? Jo, sepse numri i pompave të benzinës është shumë i madh. Distanca ndërmjet tyre është shumë e vogël. Mundësia e marrëveshjeve të fshehta është shumë e vogël. Nëse i shihni diferencat në çmim ndërmjet pompave të benzinës, janë pothuajse minore, dhe kjo tregon që tregu është shumë konkurrues. Merruni me reforma që ndryshojnë jetën e njerëzve. Merruni me problemin e 20 mijë familjeve në skemë sociale dhe leni këto sene koti, ‘çmimin e naftës’”, shkruan Aliu. /Telegrafi/




















































