LAJMI I FUNDIT:

Berisha: Shqetësuese situata e ushtarëve, ministri të japë dorëheqje

Berisha: Shqetësuese situata e ushtarëve, ministri të japë dorëheqje

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e thirrur nga opozita për problemin e furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së.

Kjo seancë po mbahet pa praninë e deputetëve të mazhorancës.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka thënë se situata aktuale në FSK është shqetësuese.


“Ushtria jonë është krenaria e vendit tonë dhe është simbol i shpresës për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme. Secili ushtar ka vendosur ti shërbejë vendit deri në vetëflijim. Nuk janë aty as për privilegje e as për kushte. Situata aktuale është tepër shqetësuese, trajtimi i tyre me neglizhencë është shkelje e rëndë e përgjegjësisë së udhëheqjes së kësaj qeverie”, ka thënë Berisha.

Ai ka shtuar se kriza e furnizimit me produkte esenciale është sinjal alarmant që kërkon zgjidhje të menjëhershme.

“Jemi në një kohë të rrezikshme për sigurinë në rajon dhe është thelbësore që sektori i sigurisë të trajtohet me prioritet dhe dinjitet”, ka thënë Berisha.

Deputeti i AAK-së ka ngritur dyshime se Koordinatorja e Komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali bashkëpunon me Serbinë.

“Nëse ka arrit Dejona Mihali me hi në Ministri Mbrojtjes, atëherë çka nuk din kojshia. Qëllimi i saj është për t’i ditur tjetër kush këto gjëra”, tha Berisha.

Ai shtoi se për ta kthyer dinjitetin sot ish dashtë me zgjedh problemin dhe me dhanë dorëheqje ministri, zëvendësministri dhe sekretari i zgjedhur jashtëligjshëm. /Telegrafi/