LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori Berishaj reagon pas pretendimeve se iu hodh poshtë padia ndaj gazetarit slloven

Ambasadori Berishaj reagon pas pretendimeve se iu hodh poshtë padia ndaj gazetarit slloven
Foto: Arkiv

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka reaguar pas raportimeve në media se Gjykata e Qarkut në Lubjanë e ka hedhur poshtë padinë e tij ndaj gazetarit të TV Planet në Slloveni, Vitomir Petroviç.

Këto pretendime Berishaj i ka quajtur shpifje, teksa ka thënë se Gjykata ende nuk e ka pranuar padinë për shqyrtim. Kjo pasi sipas tiij, nuk ka përfunduar ende procedura e ankimimit.

“Shpifja nuk kalon! Për çështjen penale në fjalë është ngritur  padia ime private kundër gazetarit slloven i cili me dt 21.04.2022 shpifi kundër meje, por Gjykata e Qarkut në Lubjanë ende nuk e ka pranuar padinë për shqyrtim për shkak se procedura e ankimimit ende nuk ka përfunduar”, ka shkruar ambasadori në Facebook, ku ka bashkëngjitur edhe një dokument ku bëhet e ditur se padia është dorëzuar më 3 janar 2023.


Petroviç është gazetari i cili në prill të këtij viti pati raportuar për një aferë financiare, duke e implikuar në të edhe ambasadorin Berishaj.

Mediumi slloven “Planet TV” më 21 prill 2022, raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluar si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.

Berishaj supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet. /Telegrafi/