LAJMI I FUNDIT:

Lirika dhe tradita letrare shqiptare

Lirika dhe tradita letrare shqiptare

Kritiku Ali Aliu thotë se poezia e periudhës së Rilindjes, në pjesën më të madhe dhe më cilësore, u ngjiz dhe u zhvillua në frymën patriotike. Refleksi i dashurisë, ndërkaq, nuk do të mungojë asnjëherë. Do të jetë njësoj i pranishëm si te poetët e letërsisë arbëreshe në Itali, me Seremben dhe De Radën në krye, si në poezinë e epokës së Naim Frashërit, ashtu dhe në atë të fillim shekullit të XX-të dhe në poezinë tonë ndërmjet dy luftërave e deri në ditët tona.

“Kjo është arsyeja pse ndjenja e dashurisë në poezinë tonë të shkruar, krahasuar me shumë të tjera, për karakteristikë dalluese, siç përmendëm më sipër, ka një frenim të brendshëm. Ajo është shtrirë në atë hov dhe ka përmbushur aq hapësirë të jetës së përditshme, sa kanë mundur t’i lejojnë problemet dhe brengat e kohës. Madje, edhe në ato raste dhe çaste, kur është dukur se nëpërmjet përjetimit poetik ka shpërthyer maksimalisht, kur është dukur se nuk është e brengosur për asgjë dhe kur është dukur e gatshme të shpërthejë, në fakt as atëherë nuk ka mundur të shkëputet plotësisht nga aktualiteti historik dhe ekzistenca kolektive. Mbase poezia jonë popullore gojore e këtij zhanri, në disa momente, duket më e avancuar nga ky aspekt. Ndoshta sepse ndjenja e dashurisë mes mashkullit dhe femrës, burrit dhe gruas, është manifestuar si refleks kolektiv vital e në çaste vendimtare gjatë përpjekjeve për të rezistuar dhe qëndruar”, thotë ai. /TCh/