Është një histori e jashtëzakonshme e një djali që lindi në Zëmblak të Korçës në vitin 1769. Familja e tij u shpërngul hershëm në Kavalla të Greqisë, qytet i ndërtuar nga Aleksandri i Maqedonisë për kujtim të kalit të tij. Mehmet Aliu ishte i 17-ti nga fëmijët e zëmblakasit, Ibrahim Agai, të cilët vdiqën njëri pas tjetrit.
Sipas legjendës, detyrën e parë publike Mehmeti e përmbushi si 18 vjeç. Një fshat aty afër nuk paguante taksat. Ai shkoi me 10 vetë të armatosur dhe kërkoi të takojë katër të parët e fshatit. I futi në xhami dhe iu premtoi se nuk do të dilnin gjallë nëse fshati nuk paguante taksat.
Në Egjipt shkoi ushtar i thjeshtë i Portës së Lartë, por shpejt u bë komandant dhe me kohë pasha. Udhëhoqi Egjiptin drejt përparimit, pavarësimit, shtet-krijimit dhe krijoi dinastinë mbretërore shqiptare pavarësisht se nuk dinte të shkruante dhe të fliste gjuhë tjetër përveç shqipes të cilën nuk e shkruante gjithashtu.
Duke parë situatën e prapambetur të Egjiptit të asaj kohe, Mehmet Aliu ishte ai që filloi zhvillimin e vendit dhe të vetes së tij. Një hov të madh, drejtuesi shqiptar i Egjiptit i dha bujqësisë, industrisë e tregtisë, duke rritur mirëqenien në popull.
Në Aleksandri, Rozet, Damiet e gjetkë, nisën të ndërtoheshin fabrika të mëdha, ndërsa francezët jepnin mbështetjen. Më tepër se njëmijë anije përshkonin Nilin.
Kështu, qyteti i faraonëve nisi të zbulohej. Misione francezësh u morën me arkeologjinë. Më 1822, Çampollion gjeti dhe zbërtheu alfabetin e hieroglifëve, duke kurorëzuar një punë të nisur që më 1798-n.
“Gjithë mbretnija e Mehmet Aliut është nji punë e rrallë dhe e çuditshme në historinë e botës, është nji varg triumfesh të papreme, nji rradh fitimesh të luftës e të diplomacisë, prapa të cilave mbeti i habitur historiani”, shkruan në librin e tij, Aleksandër Xhuvani.
Më 1824, si rrjedhojë e kryengritjeve në Greqi, Sulltan Mahmudi i II-të që nuk mund ta shtypte dot këtë rebelim grek, thirri në ndihmë Mehmet Aliun, i cili duke çuar në krye të kësaj ekspedite djalin e tij, Ibrahim Pashën, arriti që të shuajë dhe shtypë revoltat në Greqi. Si rrjedhojë e kësaj fitoreje, Mehmet Aliu u shpërblye nga Sulltani që të bëhej edhe guvernator i Kretës. Fuqitë e mëdha (Britania e Madhe, Franca, Rusia), duke parë shtrirjen e gjerë që Mehmet Aliu pati që nga Sudani e deri në Kretë, më 1827 dërguan armatat e tyre për të luftuar Ibrahim Pashën, të birin e Mehmet Aliut, i cili pas përplasjes me fuqitë e mëdha u thye, dhe u detyrua që të lëshojë shtypjen e terrorizmit grek. Ai la në fushën e betejës 93 anije lufte.
Më parë, ai dhe i biri i tij Ibrahimi, ata kishin shkatërruar lëvizjen vahabiste që kishin pushtuar Mekën dhe Medinën. Ata madje arrestojnë liderin e shtetit vahabist, Abdullah bin Saud, i cili do të ekzekutohet në Stamboll.
Pas betejës tjetër të vitit 1839 që e fitoi, djali i Mehmet Aliut, Ibrahim Pasha, i cili theu Ushtritë osmane, në Konia të Anadollit, filloi marshin për në Kostandinopojë, ku sipas shumë historianëve, ambiciet e Mehmet Aliut ishin që ai të bëhej Sulltan i shtetit Islam. Por, duke parë forcën dhe vitalitetin e Mehmet Aliut, fuqitë e mëdha e ndaluan dhe kërcënuan sërish Mehmet Aliun, që të mos avanconte më tej.
Pas kësaj përpjekjeje të fundit, Mehmet Aliu u tërhoq në Egjipt, ku atij iu njoh e drejta e Khedivllëkut mbi Egjipt (lloj mbretërimi), nga ku gjenerata e nipërve të tij udhëhoqi deri në vitin 1952.
Më 2 gusht 1849, Mehmet Ali Pasha vdiq në Aleksandri. Trupi i tij u mbështoll me një shall kashmiri, në kokë i vunë festen tuniziane dhe shpatën e tij. Arkivoli u përcoll nga 22 sheikë, që lexonin vargje nga Kurani deri kur mbërriti në xhaminë e Alabastrs në Kajro, ku u varros. Kjo ishte historia e shqiptarit nga Kavalla, që s’dinte shkrim e këndim, por që mundi brenda pak vitesh ta transformojë Egjiptin apo Misirin e prapambetur në një port të ndërveprimit të kulturave evropiane dhe egjiptiane.
Ismail Pasha është pasuesi i Mehmet Aliut që mbahet si modernizuesi i Egjiptit. Ai sundoi nga viti 1863 deri më 1879.
Ai ishte udhëheqësi që themeloi shërbimin postar, modernizoi ushtrinë duke e kthyer atë në një ushtri bashkëkohore, bëri ndërtimin e hekurudhave. Por ajo që mbahet si vepra jo vetëm më e madhe në Egjipt, por në mbarë botën, ishte ndërtimi i Kanalit të Suezit: një kanal artificial detar, me një gjatësi prej 163 kilometrash – nyja që lidh hemisferën perëndimore dhe atë lindore të tokës. Kanali i Suezit ka rëndësi të madhe strategjike, për arsye se është rruga më e rëndësishme e tankerëve detarë për furnizimin e Evropës me naftën e Lindjes së Afërme. Kanali i Suezit është hapur në vitin 1869. Kostoja e lartë e ndërtimit të këtij kanali detyroi Ismail Pashën t’ua shiste kanalin anglezëve, të cilët e ndërruan me koncesion.
I fundmi i dinastisë së Mehmet Aliut ishte mbreti Faruk, i rrëzuar nga froni prej kryengritjeve nacionaliste.
Më 1952-shin kohërat ndryshuan në Egjipt. Nacionalistët nuk pranonin më të drejtoheshin nga dinastia e mbretërisë. Revolucioni i udhëhequr nga gjenerali Abdul Naser e rrëzoi dinastinë me gjak shqiptar. Më 26 janar 1952 ndodhi një djegie e pjesshme e qytetit të Kairos dhe më 23 korrik, kur Faruku ishte në Aleksandri, grupi komplotist “Oficerët e Lirë” me në krye gjeneral Naguib morën nën kontroll Kairon.
Mbreti Faruk emigroi në Itali dhe vdiq në Romë në vitin 1965.
- Kanë thënë për Mehmet Aliun
- Dora d’Istria: Mehmet Aliun e mbërtheu një pasion i tillë për Francën, sa mund të thuhet se Rilindja e perandorisë së Faraonëve të lashtë, është pasojë e një aleance franko-shqiptare!
- Konsulli francez, Mourriez: E pyeta një ditë Mehmet Aliun pse aq shpesh ai thoshte se ishte shqiptar. Ai m’u përgjigj: “I tillë jam dhe gjuha ime është shqipja. A nuk më kini dëgjuar kur u flas rojeve!… Shqiptar jam e shqiptar do vdes, ndonëse u përpoqa të bëhem egjiptian i mirë!
- Fan Noli: Mehmet Aliu ishte vërtetë fetar, por aspak fanatik dhe ky fakt vendimtar e bënte të hapur ndaj ideve perëndimore, sepse prej fanatizmit nuk vjen asgjë e mirë. Mendim ky i shkëlqyer, i vërtetuar plotësisht nga historia dhe i hedhur tej me neveri nga iluministët francezë të shekullit të 18-të dhe nga vetë revolucioni francez”. /Tirana Observer/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
ASHIK QERIBI
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Konfiteori i artistit
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme