LAJMI I FUNDIT:

8 nga 10 kosovarë të anketuar mbështesin ndërtimin e termocentralit të ri

8 nga 10 kosovarë të anketuar mbështesin ndërtimin e termocentralit të ri

Ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re gëzon mbështetje të gjerë tek qytetarët e Republikës së Kosovës. Sipas sondazhit më të fundit të sektorit të energjisë në Kosovë, 8 nga 10 të anketuar kanë deklaruar se mbështesin ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës nuk kanë besim në kapacitetet ekzistuese, rrjedhimisht, 8 nga 10 të anketuar kanë deklaruar se mbështesin ndërtimin e termocentralit Kosova e Re”, thuhet në prezantimin e këtyre rezultateve të anketimit nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.


Qytetarët presin që ndërtimi i termocentralit do të sigurojë furnizim të mjaftueshëm me energji elektrike, përmirësim të cilësisë së ajrit dhe shëndetit publik.

“Për shumë qytetarë ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese do të ndikojë në nxitje të zhvillimit ekonomik, punësimit dhe rritjes së investimeve të huaja direkte”, thuhet në broshurën e prezantimit të rezultateve të cilën të plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu.

Sipas paralajmërimeve, pas ndërtimit të termocentralit të ri, Kosova do të mbyllë termocentralin e vjetër Kosova A. Kësisoj, termocentrali i ri ekologjik do të zëvendësojë Kosovën A, të cilësuar si ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë, duke sjellur mjaftueshëm kapacitete energjetike për të mbuluar kërkesën në rritje të vendit për energji elektrike.

Ndryshe, Fondi Monetar Ndërkombëtar, ku Kosova është anëtare me drejta të plota nga viti 2009, në raportin e fundit për vendin e vlerëson ndikimin pozitiv të Termocentralit Kosova e Re.

Sipas përfundimeve të ekspertëve të FMN, ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re do të nxisë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe financiar në Republikën e Kosovës. Konstatimi i tillë vjen pas përfundimit të analizës gjithëpërfshirëse të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi politikat ekonomike dhe financiare.

Në anën tjetër, pas më shumë se një dekade të zvarritjes së projektit, ish-Presidenti i Bankës Botërore kishte konfirmuar se kjo Bankë nuk do të përkrahte termocentralin Kosova e Re, duke përfunduar kështu përkrahjen për projekte qymyri në gjithë botën.

Ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re do të fillojë gjatë vitit 2019 dhe do të përfundojë në vitin 2023. /Telegrafi/