Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 264 raste të reja me koronavirus, ndërkohë që gjashtë persona kanë humbur betejën me këtë infeksion. Në klinikat e ShSKUK gjatë ditës janë trajtuar 785 pacientë me COVID-19, ku prej tyre 44 në gjendje të rëndë dhe 8 në gjendje kritike.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani sot para mediave, theksoi se janë shëruar 205 pacientë, ndërkohë që numri aktiv i rasteve është mbi 11 mijë.

“Gjatë 24 orëve të fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShK, dhe në laboratorë privatë me metodën real time PCR janë testuar gjithsejtë 990 mostra të marra nga ShSKUK dhe në gjurmime të rasteve në terren, ku rezultuan 264 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar gjashtë raste të vdekjes, ku shprehim keqardhje për familjarët. Rastet e vdekjes janë nga komuna e Prishtinës tri raste, të moshës 82, 80 dhe 76-vjeçare, të Gjilanit një rast i moshës 64-vjeçare, dhe në Mitrovicë një rast 64-vjeçar, dhe në Prizren një rast 71-vjeçar”, tha Ramadani.

Ai tha se numri total i të infektuarve deri më tani në nivel vendi ka shkuar mbi 49 mijë. Veç tjerash, ai foli edhe për raportimin e një varianti të ri të virusit që është shfaqur në Britani të Madhe, e që raste të po këtij virusi janë konfirmuar edhe në disa vende tjera evropiane.

“Në këto momente akoma nuk ka ndonjë indikacion mes variantit të ri dhe numrit të të infektuarve. Duke qenë se ne aktualisht ne kemi mungesë të provave në shkallë botërore, për të treguar shkallën në të cilën është përhapur varianti i ri i virusit jashtë Britanisë së Madhe, nevojitet përpjekje në kohë për të parandaluar dhe kontrolluar përhapjen e saj, si dhe masat të cilat duhet të ndërmerren, IKShP së bashku me MSH-në po bën përpjekje që të nxisin të gjithë qytetarët që të testohen, dhe ata që kanë nevojë për çdo rast të dyshimtë, duke pasur parasysh edhe rastin e ri, sepse laboratori i IKShP diagnostikon rastet e SARS-COV2 edhe me këtë mutacione, pa u kompromentuar në asnjë moment, pra diagnoza”, ka deklaruar Ramadani, raporton KP.

E ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, tha se numri i pacientëve të shtrirë në klinika është ende i lartë.

“Sot kemi 785 pacientë që janë duke u trajtuar në të gjitha spitalet e përgjithshme dhe në pesë klinikat e QKUK-së të njohura tashmë si COVID. Derisa dje kishim 764 pacientë, ju që e përcillni me vëmendje këtë lëvizje të numrit të pacientëve të shtrirë në klinikat tona, besoj keni mundur të vëreni që tashmë pothuajse tri javë numri i pacientëve sillet rreth 800 që janë duke marrë trajtime. Me gjithë rënien e numrit të rasteve të reja të infektuara në nivel të vendit edhe më tutje spitalet tona janë të ngarkuara me numër të madh të pacientëve. Sot nga këta 785, 44 janë në gjendje të rëndë të cilët janë të intubuar, 8 nga këta janë në gjendje gjendja e tyre vlerësohet si kritike dhe 36 të tjerë të kyçur për respiratorë me metodën tjetër jo invazive të frymëmarrjes së asistuar, dhe se ne e vlerësojmë si gjendje të rënduar”, ka shtuar Krasniqi.

Ai para mediave ka pohuar se ka pasur vështirësi në furnizim me barna që janë të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

“Ne kemi si ShSKUK kontratë valide me operatorë ekonomikë për të na furnizuar me Fraxiparinë. Shpenzimet kanë qenë enorme në krahasim me planifikimet me vitin e kaluar. Bile janë porositur dhe janë shpenzuar një sasi e planifikuar edhe në vitin e ardhshëm brenda këtij viti. Kemi premtime konkrete nga operatorët që qysh gjatë dy ditëve të ardhshme, do të fillojë furnizimi me fraxiparinë për institucionet publike, ndërsa sa i përket tregut privat, mendoj që MSh dhe AKP do të shohin mundësitë tjera. Por, është e vërtetë që ka vështirësi në furnizim”, tha ai.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti tha se është shqetësuese numri i madh i mërgimtarëve të cilët kanë ardhur për festat e fundvitit në Kosovë.

“Çka shihet ditëve në ditët e fundit dhe që është shqetësim për neve, është rritja e numrit të të ardhurve, përkatësisht njerëzve që vijnë nga diaspora. Afërsisht gjatë vikendit i kemi pasur çdo ditë nga 20 mijë të ardhur. Më së shumti që ka qenë i populluar Aeroporti i Prishtinës, me mbi 7 mijë e 500 të ardhur Brenda 24 orësh. Ndërsa, nga vendkalimet kufitare tokësore më e populluar ka qenë Dheu i Bardhë që ka pasur mbi 4 mijë pasagjerë, ose mbi 4 mijë qytetarë që e kanë kaluar këtë vendkalim”, tha ai.

Komunat ku janë identifikuar rastet pozitive janë: Prishtinë 93 raste, Ferizaj 25 raste, Mitrovicë 16 raste, Fushë-Kosovë 14 raste, Podujevë 14 raste, Vushtrri 13 raste, Obiliq 11 raste, Pejë 8 raste, Gjakovë 7 raste, Gjilan 7 raste, Drenas 6 raste, Shtime 6 raste, Istog 5 raste, Kaçanik 5 raste, Lipjan 5 raste, Skenderaj 5 raste, Deçan 4 raste, Dragash 4 raste, Kamenicë 4 raste, Prizren 3 raste, Rahovec 3 raste, Viti 3 raste, Malishevë 2 raste dhe Zubin-Potok 1 rast. /Telegrafi/