Një numër prej 71 organizatash të shoqërisë civile janë bashkuar me Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) në një thirrje të përbashkët drejtuar institucioneve për heqjen e menjëhershme të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe tarifave doganore për produktet menstruale.

Në një postim në faqen zyrtare të QIKA-s në Facebook, theksohet se këto organizata i kërkojnë Ministrisë së Financave të ndërmarrë masa konkrete për zgjerimin e listës së produkteve që përfitojnë nga norma e reduktuar e TVSH-së.


Konkretisht, kërkohet përfshirja e produkteve menstruale si pecetat dhe tamponët në këtë listë, si dhe eliminimi i tarifave doganore për këto produkte.

Sipas QIKA-s dhe organizatave mbështetëse, produktet menstruale janë nevojë themelore për gratë dhe vajzat, dhe përfshirja e tyre në normën e reduktuar të TVSH-së do të ishte një hap drejt drejtësisë sociale dhe ekonomike, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së përditshme të shumë qytetareve.

Ndërkaq, sipas kësaj organizate kërkesa për largimin e taksës menstruale është mbështetur edhe nga më shumë se 7 mijë e 500 qytetarë që kanë nënshkruar peticionin “Peceta nuk është luks”. /Telegrafi/