LAJMI I FUNDIT:

400 mijë euro për paga të aeroportit jofunksional

400 mijë euro për paga të aeroportit jofunksional

Gjatë tre vjetëve të fundit për pagesa të menaxhmentit, të bordit, por edhe të disa punëtorëve të angazhuar për Aeroportin jofunksional të Gjakovës nga buxheti i shtetit janë shpenzuar hiç më pak se 382 mijë euro.

Vetëm gjatë vitit 2016 për kompensime të anëtarëve të bordit dhe të komisioneve të auditimit u shpenzuan 41,200 euro.


Shuma të konsiderueshme të parave të buxhetit të shtetit edhe më tutje vazhdojnë të shpenzohen për paga të menaxhmentit, të anëtarëve të bordit, por edhe të disa punëtorëve të angazhuar në aeroportin jofunksional të Gjakovës. Aeroporti i Gjakovës është ndërtuar që pas Luftës së Dytë Botërore për nevoja të agrikulturës, kurse në vitet e ’90-ta ka pushuar së funksionuari.

Menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë Aeroporti i Gjakovës i është dhënë në shfrytëzim KFOR-it italian, të cilët kanë investuar në ndërtimin dhe në funksionalizimin e saj. Kurse më datë 18 dhjetor 2013 Aeroporti i Gjakovës i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës si donacion nga Forcat Ajrore Italiane.
Më datë 28.03.2014 Qeveria e Kosovës kishte themeluar ndërmarrjen publike “Aeroporti i Gjakovës”, ku pas emërimit të Bordit në shtator të vitit 2015 kjo ndërmarrje ushtron veprimtarinë e saj si shoqëri aksionare.

Duke u bazuar në dokumentet e siguruar nga gazeta “Zëri” shihet se nga vitit 2015 e këndej për këtë ndërmarrje publike nga shteti i është ndarë një buxhet prej rreth 700 mijë eurosh, ku rreth 200 mijë janë shpenzuar për paga dhe për shpenzime tjera operative, derisa pjesa tjetër prej rreth gjysmë milioni është llogaritur si zhvlerësim i ndërmarrjes. /Zëri/Telegrafi/