Sot janë bërë 22 vjet nga trazirat e 17 marsit 2004, kur qytetarët u revoltuan pas mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër, në fshatin Çabër të Zubin Potokut.

Në 22-vjetorin e mbytjes së tre fëmijëve, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë vendosur lule pranë varrit të tyre.


Peci në një postim në Facebook shkruan se tre fëmijët u ndoqën deri në lumin Ibër, ku nga frika u hodhën dhe prej nga aty i gjallë doli vetëm njëri prej tyre, Fitim Veseli.

Lexoni të plotë postimin e Pecit:

Tre lulet e Çabrës në 22-vjetorin nga mbytja e tyre makabre

Në përvjetorin e mbytjes së Egzon Deliut, 13 vjeç, Avni Veselit, 12 vjeç, dhe Florent Veselit, 9 vjeç, kujtojmë me dhimbje të madhe mbytjen e tyre barbare nga bandat serbe kriminale, që prekën zemrat e gjithë shqiptarëve.

4 fëmijët nga ky fshat, teksa po e shijonin fëmijërinë e tyre, një grup serbësh të organizuar lojën ua ndaluan në gjysmë dhe lumturinë ua shuan. Ata u ndoqën deri në lumin Ibër, ku nga frika u hodhën dhe prej nga aty i gjallë doli vetëm njëri prej tyre, Fitim Veseli.

Kosova u trondit, lajmi i kobshëm u përhap si rrufe dhe dhimbja e asaj dite bëri që qytetarët nga të gjitha anët e vendit të ngrihen njëzëri në protesta për të dënuar këtë akt kriminal dhe për të kërkuar drejtësi.

Sot së bashku me ministrin z. Xhelal Sveçla përkujtuam vdekjen e tyre.

Ju 3 lulet e njoma jeni dhimbje që nuk harrohen. /Telegrafi/