LAJMI I FUNDIT:

15-vjetori i eksodit dhe kthimi biblik i shqiptarëve në Kosovë

15-vjetori i eksodit dhe kthimi biblik i shqiptarëve në Kosovë

Reagim i nxitur nga publikimi i raportit “Migrimi kosovar” nga Agjencia e Statistikave të Kosovës

Njerëzimi është ballafaquar dhe zhvilluar që në kohë të hershme me fenomenin e migrimit. Mirëpo, për dallim nga popujt e tjerë, tek shqiptarët ky fenomen jo vetëm që ka zgjatur më shumë, por edhe ka shkuar gjithnjë në rritje, duke e shndërruar kështu migrimin në pjesë të pandarë të historisë sonë. Përderisa shkak të migrimeve popujt e tjerë kishin kryesisht arsyet ekonomike, tek shqiptarët arsyeja ishte një – përkatësia etnike, e cila u pengonte fqinjëve, e sidomos atyre serbë, me projektet e tyre kolonizatore e lakmitare.


Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e formuar para se të fillonte Kongresi i Berlinit, luftonte për çështjen kombëtare duke mbrojtur interesat e popullit shqiptar para botës. Rreziku i copëtimit të Shqipërisë ishte evident, pasi që çështja Ballkanike u trajtua në formë të njëanshme në Kongresin e Berlinit, duke favorizuar Greqinë, Bullgarinë, Malin e Zi, Serbinë etj. Lidhja Shqiptare e Prizrenit kundërshtoi kategorikisht vendimet e Kongresit, si me anë të diplomacisë, ashtu edhe me anë të forcës.

Megjithëse spastrimet etnike në trojet shqiptare kishin filluar herët, ishte periudha e Lidhjes së Prizrenit, gjatë së cilës filluan shpërnguljet masive me dhunë të shqiptarëve. Vetëm nga Sanxhaku i Nishit, për një periudhë jo shumë të gjatë, u shpërngulën mbi 200 mijë shqiptarë. Programet antishqiptare, si ”Naçertanje” e deri te ”Memorandumi” i Akademisë së Shkencave të Serbisë, për realizimin e projektit për një Kosovë pa shqiptarë, janë dëshmi e tentativave serbe për pastrim etnik.

Me përpjekjen për shfarosje dhe me gjenocidin të përgatitur para 15 viteve, plani famëkeq “Patkoi”, u promovua në Manastirin e Graçanicës, më 20 maj të vitit 1995, në deklaratën e aprovuar nga tubimi i Lëvizjes së Rezistencës Serbe, me në krye krininelin Vojisllav Sheshel, për dëbimin e 400 mijë shqiptarëve. Me fillimin e luftës, Milosheviqi mendoi se përfundimisht ia arriti qëllimit për të realizuar planet shekullore për një Kosovë pa shqiptarë. Fshatrat e djegura, dëbimet, asgjësimi i dokumenteve të identifikimit dhe udhëtimit të shqiptarëve të dëbuar, dëshmojnë se një pjesë e madhe e shqiptarëve është llogaritur që të mos kthehej kurrë.

Me luftën e UÇK-së dhe me ndihmën NATO-s, shqiptarët përjetuan kthimin biblik në tokën e tyre të djegur. Dashuria për vendin, gjuhën dhe zakonet ishte aq e madhe, sa që Perëndimi u habit nga fluksi i njerëzve që prisnin të ktheheshin në Kosovë. Fatkeqësisht, kur e gjithë bota ishte dëshmitare e eksodit shqiptar dhe i kishte sytë tek kampet e refugjatëve, sot, agjencia jonë e statistikave del me shifra qesharake në raportin e saj ”Migrimi Kosovar”.

Për t’u shqetësuar është përpilimi diletantesk (shifrat e pasakta dhe gabimet logjike kontekstuale) i këtij raporti. Është e turpshme të thuhet se periudha 1999-2000 shënon numrin më të madh të imigracionit, kur botërisht njihet eksodi i vitit 1999 dhe kthimi biblik i shqiptarëve. Në këtë rast, raporti injoron gjenocidin serb dhe përpjekjen për një Kosovë pa shqiptarë, andaj këtu qëndron njëra nga këto dy arsye: mund të jetë paaftësia profesionale ose kompromisi i qëllimshëm politik.

Sipas të dhënave që lidhën me procesin e akomodimit të të ardhurve nga Kosova në Shqipëri, rezulton se numri më i madh i të akomoduarve ishte në Bashkinë e Tiranës, në të cilën u vendosën mbi 125 mijë vetë. Kryesisht, të gjithë u sistemuan nëpër familjet të cilat ndoshta nuk kishin as mundësi për të mbajtur vetveten, por bujaria dhe mikpritja e vëllezërve tanë ishte në nivelin më të lartë të mundshëm. Me këtë rast, duhet të themi se barrën më të madhe e mbajti Bashkia e Kukësit, e cila ishte pika e parë e vendqëndrimit për të ardhurit nga Kosova. Bashkia e Kukësit akomodoi mbi 710 mijë individë. Duhet të cekim Bashkinë e Shkodrës, me 95 mijë persona; Bashkinë e Lezhës me 32 mijë; Bashkinë e Elbasanit me 30 mijë; Bashkinë e Fierit me 25 mijë etj. Për të mos harruar edhe mikpritësit tjerë, duhet të përmendim bashkitë e Jugut të Shqipërisë, Vlorë, Sarandë dhe Gjirokastër.

Në bazë të grumbullimit të të dhënave, ne po përmendim vetëm disa familje të vendosura në këto bashki: familja Demaku nga Peja, familja Kryeziu nga Rahoveci, familja Berisha nga Peja, familja Myrtë Arifi nga Gjakova. Në bashkinë e Gjirokastrës: Idriz Sadiku – Gjakovë, Zenel Beqir Ceka – Deçan. Në Bashkinë e Tiranës: Enver Shehu, Halil Ismet Mulaj. Në Bashkinë e Lezhës: Shemsi Aliu. Kemi obligim moral në këtë shkrim t’i përmendim edhe vuajtjet e të ikurve në Bllacë dhe Stankovc, si dhe gatishmërinë e shqiptarëve të Maqedonisë për të strehuar vëllezërit e vet.

Për asnjë moment nuk do t’i harrojmë ish-presidentin Klinton dhe bashkëshorten e tij, që vizituan kampet e refugjatëve shqiptarë, kryeministrin Tony Blair apo Gjeneralin e NATO-’s, Wesley Clark. Me këtë rast duhet t’i falënderojmë gjithë miqtë tanë, anekënd botës, që ndihmuan shumë refugjatë shqiptarë, për t’u strehuar, e disa prej tyre sot janë edhe fytyra të rëndësishme botërore. Nuk mund të besoj se të gjitha këto janë të panjohura për përpiluesit e këtij raporti.

Shpërnguljet e shqiptarëve i njeh historia që nga koha e Skënderbeut dhe nuk e besoj që ka njeri që nuk është i njoftuar me pastrimet etnike të trojeve shqiptare dhe tkurrjen e trojeve ndër shekuj. Para disa ditëve, 15-vjetorin e eksodit e shënuan edhe dy qeveritë – ajo e Kosovë dhe ajo Shqipërisë, në pikën hyrëse në Kukës. Ndoshta, është rastësi që pas disa ditëve del ky raport në përpjekje për ta heshtur gjenocidin serb dhe për ta ndryshuar historinë. Nuk është e drejtë e askujt që të ndryshojë lëvizjet historike.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, nëse nuk ka mundur ta paraqesë përpjekjen për gjenocid të pushtetit serb, eksodin i cili në shumë raste ka rezultuar me masakra makabre, është dashur që, për shkak të specifikave të jashtëzakonshme, eksodi dhe kthimi biblik të jenë pjesë e veçantë e këtij raporti.

Sot, detyrë patriotike e qytetarëve të Kosovës është që të ngriten padi penale në gjykatat vendore dhe ndërkombëtare për përpjekjet serbe për gjenocid në Kosovë, ku përfshihen dëbimi i shqiptarëve nga Kosova, djegia e shtëpive dhe pronave, çështja e të zhdukurve, dhunimet dhe të gjitha krimet dhe tentimet për pastrim etnik.

Mërgimtarëve tanë duhet t’ua kthejmë besimin në institucionet e Kosovës, ata duhet të jenë qytetarë të barabartë në të gjitha sferat e jetës e, sidomos, në të drejtën e tyre kushtetuese – të votojnë dhe të jenë të zgjedhur. Të mos plaçkiten në pikat kufitare sa herë që vijnë në vendlindje dhe të jenë të barabartë në investime për hapjen e perspektivës për rininë e mrekullueshme të Kosovës, e të mos jetë ëndërr e çdo të riu vetëm ikja nga Kosova.

Në trend

Më shumë
Fjalët e para të Usyk pasi u shpall kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda në boks

Fjalët e para të Usyk pasi u shpall kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda në boks

Boks
Oleksandr Usyk shpallet kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda në boks

Oleksandr Usyk shpallet kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda në boks

Boks
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto

"Unë nuk do të ulem këtu të qaj dhe të kërkoj justifikime" - Tyson Fury flet pas humbjes

Boks
Arratiset Enver Sekiraqa, policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Arratiset Enver Sekiraqa, policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Drejtësi
Arratisja e Enver Sekiraqes, flet avokatja e tij

Arratisja e Enver Sekiraqes, flet avokatja e tij

Drejtësi
Kalo në kategori