Mbi 100 mijë euro të fondeve publike dyshohet se janë keqpërdorur në një institucion parashkollor në Prishtinë. Për këto keqpërdorime nën pranga ka përfunduar drejtoresha e këtij institucioni K.A dhe Q.M.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar për Telegrafin se brenda afatit ligjor do të kërkojnë edhe masën e sigurisë për të pandehurat.


"Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokuroria i shtetit është duke zhvilluar hetimet ndaj të dyshuarave K.A. dhe Q.M., për shkak të dyshimeve të bazuar për ''Keqpërdorim të fondeve publike''. Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do t'i propozon gjykatës për caktimin e masës së sigurimit së të pandehurave. Hetimet janë duke u zhvilluar dhe për momentin nuk mund të japim më shumë detaje, për të mos cenuar rrjedhën e procedurës hetimore", thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndryshe, të mërkurën, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njoftoi se ka zhvilluar hetime lidhur me dyshime për keqpërdorim të fondeve publike në një institucion parashkollor në Prishtinë.

Gjatë hetimeve janë siguruar prova që tregojnë përpilimin e listave fiktive të subvencioneve për fëmijë që nuk kanë ndjekur institucionin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.

Dyshimet përfshijnë gjithashtu tërheqje të parave në mënyrë të parregullt dhe blerje të pajisjeve elektronike pa justifikim të nevojave institucionale.

"Hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shumat e sakta të dëmit të shkaktuar që mund të arrijnë vlerën mbi 100 mijë euro. Dy të dyshuar janë intervistuar dhe njeri nga ta dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore", njoftoi policia.

Po ashtu, policia theksoi se mbetet e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike, duke bashkëpunuar me institucionet e drejtësisë. /Telegrafi/